Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar për të angazhuar një mision detar për t’i mbrojtur anijet prej militantëve të Huthëve në Detin e Kuq, kanë thënë të hënën disa diplomatë për agjencinë e lajmeve dpa.
I quajtur Aspided [Mburoja] sipas një fjale të vjetër greke, misioni nënkupton se evropianët do të dërgojnë anije luftarake dhe sisteme të paralajmërimit të hershëm në Detin e Kuq, Gjirin e Adenit dhe ujërat përreth.
Pjesëtarët e misionit kanë urdhër që të gjuajnë me armë kundër militantëve, vetëm nëse ata sulmojnë të parët.
Komanda operacionale do të jetë në qytetin grek Larisa.
Militantët e Huthëve prej Jemenit, janë duke sulmuar anijet në rajon, si shenjë hakmarrjeje për veprimet ushtarake izraelite në Rripin e Gazës.
Një zyrtar i BE-së ka thënë të premten se shteti më i dëmtuar prej këtyre veprimeve nuk është Izraeli por Egjipti, pasi zvogëlimi i trafikut ka shkaktuar 40 për qind humbje të të hyrave për Autoritetin e Kanalit të Suezit.
Edhe ekonomia e BE-së është thënë të jetë dëmtuar këtë periudhë.
Komisionari i BE-së për Ekonomi, Paolo Gentilioni, u ka thënë gazetarëve ditë më parë se “meqë anijet janë detyruar të ndryshojnë rrugën në dërgesat mes Azisë dhe BE-së, edhe çmimet e këtyre dërgesave janë rritur për gati 400 për qind”.
Rebelët Huthi kanë thënë se sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq janë si shenjë solidarizimi me Gazën, ku militantët e Hamasit – të përkrahur nga Irani – janë në luftë me Izraelin për më shumë se tre muaj.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është i shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Rreth 12 për qind e tregtisë globale kalon përmes Ngushticës Bab al-Mandeb, hyrjes në Detin e Kuq përmes jugperëndimit të Jemenit dhe Xhibutit, mirëpo sulmet e rebelëve kanë shkaktuar çrregullim të madh të trafikut, duke detyruar shumë anije të marrin rrugë alternative rreth Afrikës.