Gazetari Ridvan Berisha ka komentuar rrjedhën që ka marrë historia e vrasjes së Liridonës pas publikimit të dëshmive të Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës. I ftuar në “Breaking”, Berisha theksoi se në këtë ngjarje nuk ka dorë Bexhet Pacolli apo figura të tjera politike të Kosovës dhe se Murseli përdori influencën për të paraqitur atë madhështinë e tij dhe fshehur tiraninë prej një krimineli të ftohtë që e karakterizonte.
Problemi më i madh në këtë histori, thekson Berisha, është se ende nuk është gjetur motivi. Dëshmi shokuese janë publikuar në mediet e Kosovës që implikojnë drejtpërdrejt Naim Murselin, por nga ana tjetër janë vënë re edhe deklarata kontradiktore të babait të Naimit, Shaban Murseli. Prokuroria duhet të jetë transparente sa më parë me rezultatin e hetimeve. Janë transmetuar dëshmitë e para. Naim Murseli dhe dy personat e tjerë kanë dhënë edhe dëshmi të tjera. Dëshmitë e dhëna deri më tani tregojnë vetëm një gjë, një plan të kurdisur mirë për vrasjen e Liridonës.
Pra nuk kemi të bëjmë vetëm me një krim pasioni?
Në bazë të dëshmive sistemi gjyqësor mund të peshojë vërtetësinë e tyre. Megjithatë nga ato që kanë dalë publikisht, duket se zemërimi i këtyre qenieve kafshërore për humbjen e jetës së Liridonës i ka rrënjët në një periudhë të gjatë kohe. Një vit ose mbase më shumë. Ka mospërputhje në deklaratat e tyre. Pyetjet që u janë bërë nga hetuesit nuk kanë qenë të forta dhe të detajuara për të nxjerrë detaje pas detaji. Ndoshta në intervistat e radhës do ta plotësojnë atë mozaikun në skemën e dyshimit që sot mungon; motivi.
Motivi nuk dihet ende. Kemi deklarata kontradiktore nga njëri dhe tjetri. Më tha, e bëri, se bëri. Isha me këtë, isha me atë. Ka mospërputhje të deklaratave të para me deklaratat e dyta dhe të treta. Nuk e di se sa do të mund të rezistojnë personat në akuzë. Por di se asnjë lider nuk ka dorë deri më tani në planin për vrasjen e Liridonës. As zoti Pacolli, pavarësisht se Naim Murseli ka qenë këshilltar i tij dhe e kam thënë edhe më herët që ka përdorur influencën me zotin Pacolli, fotografitë me zotin Rama, fotografitë me politikanë të ndryshëm për të paraqitur atë madhështinë e tij dhe fshehur tiraninë prej një krimineli të ftohtë që e karakterizonte.
Është diskutuar për lidhje jashtëmartesore, tradhëti, deklarata. Naim Murseli i ka premtuar vrasësit se ‘edhe nëse ti shkon në burg, unë kam aq pushtet sa të të nxjerr’. Nga ana tjetër kishte edhe një kredi që e kishte marrë në emër të Kushtrim Kokallës. Problemi më i madh është se ende nuk është gjetur motivi. Prokuroria dhe specialistët mendoj se duhet të përfshihen më shumë në atë task forcë për të bërë bashkë mozaikun. Ato pjesëzat t’i bashkojnë, t’i vendosin në makineri analize dhe të aspektit kriminal dhe të formulojnë motivin pse ka ndodhur ngjarja.