Më shumë se dyzet vjet më parë, më 23 mars 1983, Ronald Reagan mahniti Amerikën dhe botën duke shpallur një plan për të arritur supremacinë absolute ushtarake të SHBA-së në hapësirë. Objektivi: krijimi i një sistemi kompleks armësh që vërtiten mbi kokat tona – satelitë të armatosur, topa lazer, sisteme anti-raketë dhe më shumë – të afta për të neutralizuar çdo sulm bërthamor në Tokë.
Iniciativa e Mbrojtjes Strategjike e Presidentit Republikan (Sdi), e përcaktuar nga qeveria amerikane si një “mburojë hapësinore”, u riemërua menjëherë nga të gjithë si Star Wars: e pashmangshme, duke qenë se ishim në mesin e sagës kinematografike. Për më tepër, disa vite më parë Star Trek kishte sjellë në ekran skenarë jo shumë të ndryshëm nga ata të imagjinuar prej Reaganit. Dhe tani ishte vetë aktori-president ai që shfrytëzoi sugjestionimin prej ekranit të madh në shpalljen e planit të tij: duke hedhur poshtë logjikën e “ekuilibrit të terrorit”, Reagan e përcaktoi doktrinën e “sigurisë së shkatërrimit të ndërsjellë” si një “pakt vetëvrasjeje”.
Më mirë të kesh sigurinë se je në gjendje të neutralizosh çfarëdo sulmi rus. “Ne do ta ruajmë paqen me forcë: dobësia është një ftesë për agresion”, ishte përgjigja e tij ndaj protestave në Moskë. Më pas, përfundimi kinematografik: “Do t’u japim një shpresë të re fëmijëve tanë”. “New Hope”, siç do të ishte titulli i filmit të ardhshëm të Star Wars.
Projekte të mëdha, investime masive dhe një organizim kompleks ushtarak i besuar gjeneralit Abrahamson. Katër vjet më vonë, në vitin 1987, Shoqata Fizike Amerikane vendosi se zbatimi i planit të Reganit ishte i pamundur: ai bazohej në teknologji që ende nuk ekzistonin. Do të duheshin dekada për të mbërritur atje.
Plani i Reganit, që synonte shkatërrimin e armëve bërthamore sovjetike në terren, përjashtonte armët bërthamore hapësinore, të tilla si ato që me sa duket janë sot në planet e Kremlinit. Kjo sepse në vitin 1967, SHBA dhe BRSS kishin firmosur “Traktatin e Hapësirës së Jashtme”: një traktat për mospërhapjen bërthamore në hapësirë. Ai traktat është ende në fuqi, por nuk është për t’u habitur që Kremlini mund të ketë konceptuar një plan që e injoron atë: Putini ka denoncuar tashmë traktate të ndryshme të mospërhapjes bërthamore dhe gjithashtu mund të tërheqë Rusinë nga traktati hapësinor.
Në vitin 1993, Bill Clinton i dha fund pa shumë bujë aventurës së kotë të SDI-së. Dyzet vjet më vonë, shumë pak ka mbetur nga ëndrra e Reganit për supremaci yjore ushtarake: Amerika ka parë tashmë përparimin e madh të Kinës në fushën e elektronikës ushtarake, edhe në kozmos.
Moska dhe Pekini kanë punuar shumë për të ndërtuar satelitë robotë të aftë për të ndërhyrë, në orbitë, me satelitët kundërshtarë, madje edhe për t’i sulmuar ata. Tre fuqitë hapësinore – SHBA, Kina dhe Rusia – kanë demonstruar se mund të shkatërrojnë satelitët me raketat e tyre dhe Moska e ka bërë këtë me satelitët kamikaze, të cilët, për më tepër, kur shpërthejnë, shpërndajnë copëza të rrezikshme mbeturinash në kozmos. Prej disa vitesh Pentagoni ka reaguar duke shtuar një Forcë Hapësinore në armët tradicionale të Ushtrisë, Marinës dhe Forcave Ajrore. Dhe në vitin 2019, me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, një ligj për rinisjen e investimeve në mbrojtje krijoi Agjencinë e Zhvillimit të Hapësirës: një përpjekje për të rifilluar pushtimin ushtarak të hapësirës falë teknologjive dixhitale dhe inteligjencës artificiale, që mund t’i jepte qëndrueshmëri ëndrrës së vjetër të Reaganit.
Skenarë dukshëm shqetësues dhe gjithashtu të vështirë për t’u kuptuar. Nuk është e qartë, në fakt, se si do të bëhej një “luftë midis satelitëve”, veçanërisht lufta bërthamore e armëve ruse: në kohën e “Luftës së Yjeve” të Reganit, vetëm 360 satelitë vërtiteshin rreth Tokës. Sot, midis vëzhgimit, spiunazhit, telekomunikacionit, udhëzimeve të GPS etj, sipas OKB-së ka rreth dhjetë mijë satelitë në orbitë. Dhe ato të komunikimit të Starlink të Elon Musk (aktualisht 5,500 por do të shtohen) janë pak më të mëdha se një kuti këpucësh. / Corriere della Sera