Këtu jemi, është koha për Inter-Juventus. Një përballje në “San Siro” mes dy skuadrave që po dominojnë Serie A këtë sezon, me bardhezinjtë e Allegrit të detyruar të mos i lënë zikaltërit të “arratisen” në krye të renditjes. Trajneri livornez doli në konferencë për shtyp dhe bëri prognozën e transfertës së të dielës mbrëma.

A i zgjidhët dyshimet për lojtarët e grumbulluar?
Të gjithë do të shkojmë në “San Siro”, sepse Chiesa dhe Rabiot janë rikuperuar. Djalò dhe Alcaraz gjithashtu do të vijnë me ne në Milano.

Çfarë dëshironi të shihni nga Juventusi juaj kundër Interit?
Do të jetë një mbrëmje e mrekullueshme sportive, në një stadium të shitur plotësisht. Jemi shumë mirë, por e dimë forcën e Interit. Është një fazë në rrugëtimin tonë të rritjes, por nga këtu deri në fund duhet të marrim shumë pikë për ta arritur objektivin tonë, që është Liga e Kampionëve.

Si e vlerësoni merkaton e janarit?
Alcaraz është i ri dhe dëshiron të bëjë mirë, të mësojë. Jam i lumtur, por është një lojtar për t’u zbuluar. Nga ana tjetër, Djalò është vonë me përgatitjet, sepse ka bërë një operacion dhe do ta angazhojmë gradualisht.

A do të jetë Chiesa titullar?
Nuk e di, do të vendos pas seancës së fundit stërvitore. Është e rëndësishme t’i kemi të gjithë në dispozicion në këtë pjesë të dytë të sezonit, ku do të luajmë shumë, duke pasur parasysh edhe Kupën e Italisë. Është një ndeshje e rëndësishme kundër Interit, por mbi të gjitha do të jetë një mbrëmje e bukur për ta përjetuar dhe luajtur me armët tona.

Si është Kean dhe kur do të kthehet?
Unë fola me Moise pasi transferimi tek Atletico dështoi. Ai duhet të mendojë për të punuar dhe rikuperuar, por i thashë se me siguri do të jetë i dobishëm për ne nga tani deri në fund të sezonit.

Çfarë ka më shumë për të shtuar Juve kundër Interit?
Dëshira për të arritur rezultatin pozitiv, sepse për ne është një test i rëndësishëm.

Si e keni parë Yildiz këtë javë? Sa e mirë është konkurrenca me Chiesa për të?
Konkurrenca është e mirë për të gjithë, veçanërisht kur luan një herë në javë dhe në stërvitje duhet të tregosh se je në formë. E gjithë skuadra përfiton nga kjo, pasi është shumë kohezive. Këtë e demonstrojnë në çdo lojë edhe ata që hyjnë si zëvendësues. Ajo që kemi bërë deri më tani nuk vlen asgjë, të gjitha pikët nga tani deri në fund të kampionatit do të jenë vendimtare. Unë e pashë Yildiz më mirë.

Si po e menaxhojnë këtë derbi italian më të rinjtë?
Nuk ka dallim mes veteranëve dhe të rinjve, edhe sepse nuk kemi lojtarë shumë të vjetër. Do të jetë një ndeshje e mirë, të parët kundër të dytëve në renditje, por kampionati nuk do të përfundojë këtu, kundër Interit.

Çfarë peshe ka kjo ndeshje në planin psikologjik?
Nuk është një kthesë vendimtare për kampionatin. Duhet të bëjmë atë që duhet për të arritur objektivin tonë, i cili nuk është titulli. E bukura e këtyre sfidave është se pritshmëria është shumë e madhe, por lojtarët duhet të luajnë lojën e tyre dhe të argëtohen.

A do të dëshironit ta shihnit Chiesa të sakrifikohej më shumë edhe në një nivel mendor?
Ai gjithmonë përpiqet të bëjë më të mirën, vihet në dispozicion, por mënyra e tij e lojës dhe operacioni që ka pasur shpesh e shqetësojnë. Ai do të duhet të jetojë me këtë.

Lojtarët tuaj janë të lakmuar në merkato. Krenari apo bezdi?
Rabiot është një lojtar i rëndësishëm dhe i rëndë brenda dhe jashtë dhomës sonë të zhveshjes. Jam i lumtur që e kam te Juventusi. Nuk do t’i komentoj thashethemet për Cambiaso, por mund të them se janë të kënaqshme, sepse vërtetojnë vlerën e rëndësishme trashëgimore të të rinjve tanë.

Është më e rëndësishme të fitosh apo të mos humbësh kundër Interit?
Ne do të përpiqemi të marrim rezultat pozitiv.

Një lojtar i Interit që nuk e keni menduar aq shumë…
Thuram, u befasova pozitivisht.

Çfarë ka për të humbur Juventusi në “San Siro”?
Si çdo skuadër, në çdo ndeshje gjithmonë duhet të fitosh, sepse të gjithë e fillojmë 0-0. Kur luajmë kemi gjithmonë diçka për të humbur.

A ka më shumë sinergji mes jush dhe grupit këtë sezon dhe a është ky një faktor që rezultatet i tejkalojnë pritshmëritë?
Skuadra jonë është duke punuar në limite, por kjo nuk do të thotë së jemi pak a shumë të mirë. Grupi është koheziv dhe dëshiron të bëjë gjëra të rëndësishme. Ne grumbulluam 53 pikë, por na duhen akoma më shumë për të hyrë sërish në Champions League.

A është Interi i shqetësuar për sfidën e Juventusit? A ju prekin polemikat e arbitrave?
Ne kemi shumë respekt për Interin, sepse siç e kam thënë gjithmonë, janë skuadra më e fortë në kampionat dhe favorite për titullin. Kjo është e qartë për të gjithë. Për pjesën tjetër, nuk duhet të shpërqendrohemi nga gjërat e jashtme. Duhet të bëjmë më të mirën e mundshme në fushë për të marrë rezultat pozitiv.

A do ta mbyllte Interi çështjen e titullit me fitore ndaj jush?
Të shohim rezultatin, por ende kanë mbetur shumë ndeshje. Futbolli është i mbushur me ngjarje të papritura. Duhet të kesh ekuilibër dhe të dish se ka momente vështirësish, por gjëja më e ndërlikuar është t’i menaxhosh ato.

A prisni një ndeshje të ngjashme me atë të fazës së parë?
E fazës së parë ishte një ndeshje e ekuilibruar, me shumë respekt dhe taktikë. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë ndryshe të dielën.