Nga Xhoi Malësia

Duke patur parasysh përkufizimin se partitë politike janë një grupim vullnetar njerëzish me ideologji të ngjashme ose të njëjtë, natyrshëm deduktojmë se objektivi i grupimeve politike mbetet materializimi i doktrinës së tyre përmes qasjes në institucionet kushtetuese. Kjo premisë logjike, më bën shpesh t’i shoh partitë si një anije e cila ka si destinacion të lakmuar pushtetin. Një kapiten, përveç aftësive drejtuese, nuk bën dot pa tre elementë kryesorë: ANIJEN, EKUIPAZHIN dhe BUSULLEN. Përmes kësaj fabule metaforike, mund të zbërthejmë lehtësisht edhe situatën në Partinë Demokratike. Tre elementët e sipërpermendur, në këndvështrimin tim, janë në duart e tre personave të ndryshëm.

ANIJA mbetet nën komandën e Lulzim Bashës. Për kritikët, ai nuk po guxon ende të dalë në det të hapur, ndoshta për shkak se direku (shtylla qëndrore e anijes) është ende i pariparuar nga lufta e brendshme me mbështetësit e kapitenit rival, Berishës. Bashën e braktisi një pjesë e madhë e ekipazhit. Ndoshta, me të drejtë. Marinarët ndjejnë ende lodhje e zhgënjim. Ata enden prej më shumë se 10 vitesh, në dallgët e forta të humbjeve të njëpasnjëshme. Shifra ironikisht, është e njëjtë edhe me Odisenë, personazhin e poemës epike të Homerit, të cilit ju deshën plot 10 vite për t’u kthyer nga Lufta e Trojës, në Mbretërinë e Itakës. Vijmë sërish tek Basha; Ai pretendon se itinerari i tij, ne dekadën e fundit, është ndikuar gjithmonë nga Berisha. Basha synon të ndërtojë një ekuipazh të ri. Kemi parë marinarë të rinj, por edhe nga ata të vjetrit, që në përplasjen e dy kapitenëve, gjetën mundësinë e promovimit. A do t’ia dalë?! Odisea nuk u dorëzua. Por, beteja e tij ishte epike. Basha fiton vetëm në rast metamorfoze.

EKUIPAZHI në masë dërrmuese, mbetet ende në dorë të Berishës. Doktori, është padyshim kapiteni me më shumë eksperiencë në rradhët e marinarëve demokratë, duke i dërguar këta të fundit edhe në destinacione ekzotike. Këtu kam parasysh fitoret, arritjet, sukseset por dhe mekatet e embla të pushtetit. Berisha sjell në memorien e marinarëve kohë të arta. Megjithatë, kohët kanë ndryshuar. Berisha, nuk lundron dot më në ujëra ndërkombëtare, për shkak të një urdhëri që vjen nga përtej oqeanit!

Kthimi i doktorit në krye të ekuipazhit të Rithemelimit, më sjell ndërmend rikthimin e Napoleon Bonapartit nga ishulli Elba. As Berisha e as Napoloeoni nuk e patën të vështirë të rifitonin mbrapsht atë që dikur e kishin. Por, pavarësisht peshës historike, ndonjëherë koha t’i zbeh instiktet, rrethanat ndryshojnë, strategjitë që dikur ishin gjeniale nuk sjellin më fitore. Berisha, si Napoleoni, rrezikon të shkojë drejt Waterloo-së. Megjithatë, askush nuk mund t’i kërkojë doktorit të tërhiqet. Në fund të fundit, të gjithë jetojmë për të luftuar një tjetër ditë.

BUSULLA është në duart e Gazment Bardhit! Ai u promovua nga dy kapitenët e tjerë në pozita të larta drejtuese, por pa mundur të prekë kurrë me duart e tij timonin, e pa mundur të gëzojë mbështetjen absolute të ekuipazhit. I pakënaqur në anijen pa ekuipazh të mjaftueshëm të Bashës, dhe pa u pajtuar me idenë se Berisha është e ardhmja, Bardhi ka luajtur bastin më të madh politik të jetës së tij. Ai po përpiqet të manovrojë mes të dyve, me shpresën se nga përplasja, Basha dhe Berisha do të rrëzohen të dy në tapet. Avantazhi i Gazment Bardhit është kanali i hapur me kontinentin amerikan dhe europian, karta morale se gjithmonë ka menduar për interesin e marinarëve të tjerë dhe fakti se nuk ka patur mundësi të testohet asnjëherë në pozitën e kapitenit. Edhe pse idetë e tij janë të logjikshme, për kritikët, mund të jenë utopike.