Avokati Idajet Beqiri thotë se protesta e Rithemelimit të Sali Berishës ishte “pa kokë” dhe se ish kryeministri ka shkelur ligjin duke komunikuar me protestuesit, pasi ndodhet në “arrest shtëpie”. Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se në protestë u bashkua federata e “non gratave”, të cilët duhet të përballen me drejtësinë. Sipas Beqirit, fëmijët e Berishës kanë asete 5 miliardë dollarë dhe me këto para të pista, paguajnë protestues.

“Në fakt, ai nuk duhet të komunikojë me askënd, sepse është në proces hetimor, masa arrest në shtëpi, ia ka kufizuar të drejtën e komunikimit. Edhe në këtë rast, kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të kodit të procedurës penale. Nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Është shkelje e ligjit, e ka përfituar vetëm ky njeriu i veçantë, ende megjithëse është ndëshkuar ashpër, ai përsëri, ende nuk është ndëshkuar siç e meriton dhe siç e njeh ligji. Këtu në vendin tonë, është paradoks, po protestat i bëjnë partitë politike, duhet t’i bëjnë qytetarët.

Ai është munduar gjithmonë të grumbullojë njerëz dhe të tregojë forcë. Koncept i një njeriu i egër. Kush ishte koka e asaj proteste? Duhet ta udhëheqë dikush. Ai që duhet ta udhëhiqte, ishte i izoluar, në arrest. Ata po vrapojnë, që t’i marrin patkonjtë kalin, një nga qëllimet e protestës kjo ishte.

Ishte një protestë pa sens. Thelbi i saj, ishte një grupim për të justifikuar federatën që krijuan, emrin e ka federata e “non gratave”. U bashkuan ata që kanë punë me SPAK-un. E inicioi Fatmir Mediu, të tjerët që u bashkuan janë ata që akuzuan njëri-tjetrin. Njerëz pa princip, njerëz të pabesueshëm. Është turp që të bësh protesta të tilla, me motive të tilla. Shkëlzeni dhe Argita kanë asete 5 miliardë dollarë. Ilir Meta ka asete 3 miliardë dollarë. 8 miliardë dollarë në duar të këtyre”, theksoi ai.