Kreu i Partisë Agrare Ambjentaliste, Agron Duka ka deklaruar se gjithpërfshirja e palëve politike në Reformën Zgjedhore është e rëndësishme, megjithatë nëse negociohet dhe përmbushen të katër kushtet e opozitës, rëndësia e saj është e dorës së dytë. Edhe pse i mëshon fortë idesë së bashkimit, Duka theksoi se teza e Bashës është e njëjta që kërkojnë edhe palët e tjera opozitare dhe nëse PD-ja zyrtare arrinë në konsensus, rezultati do të ishte një fitore për të gjithë opozitën.
Ka një përpjekje nga Kuvendi për të bërë funksionale Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Kemi parë përfaqësues të PS-së dhe PD-së zyrtare, por jo të pjesës tjetër të opozitës sepse kërkohet ndryshimi i përbërjes së komisionit. Si mendoni se do të vijojë situata? A do të ketë gjithëpërfshirje sikurse kërkojnë ndërkombëtarët?
Duka: Shumë e rëndësishme do të ishte të merrnin pjesë të gjithë sepse Reforma Zgjedhore nuk mund të jetë e njëanshme. Reforma Zgjedhore të qëndrueshme bëhet kur ka konsensusin e të gjithë palëve. Natyrisht palët kryesore, nuk po flasim për partitë e vogla. Por po të ishte ashtu akoma edhe më mirë. Megjithatë për mua ka rëndësi produkti. Nëse arrihen ato pika që kemi kërkuar që në fillim sikurse listat e hapura, votimi i emigrantëve, të bëhen 3-4 zona zgjedhore mundësisht një zonë zgjedhore dhe votimi elektronik. Nëse jo në të gjithë Shqipërinë, të paktën në qarqet kryesore aq sa të mundemi.
Nëse kjo arrihet, me rëndësi të dorës së dytë pastaj mbetet ajo nëse ka apo nuk ka në Komision përbërje të të gjithë palëve. Natyrisht nëse do të kishte përbërjen e të gjithë palëve, mundësia për të mbërritur në një konsensus do të ishte edhe më e madhe sesa me një pjesë të opozitës sepse zoti Basha nuk përfaqëson të gjithë opozitën shqiptare. Tani mbetet për t’u parë, tezat e Bashës janë thuajse të njëjtat teza që kemi kërkuar edhe ne. Nëse zoti Basha dhe ata që përfaqësojnë PD-në zyrtare në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por ngulin këmbë derisa të mbërrijnë në konsensus atëherë kjo do të ishte sukses qoftë edhe për të gjithë opozitën.