Një grup prej 18 ligjvënësish republikanë i kanë kërkuar Presidentit Joe Biden të çaktivizojë llogarinë e tij të fushatës në TikTok duke përmendur këtu shqetësimet e sigurisë kombëtare.
Reuters, që ka arritur ta shohë letrën, thotë se ajo nënvizon faktin se kreu i shtetit amerikan po “injoron rreziqet që vijnë nga ky aplikacion. “ Si mund t’i paralajmërojë qeveria federale amerikanët për rreziqet e TikTok-ut kur atë e përdor edhe vetë presidenti”, thuhet aty.
Ekipi i fushatës së Bidenit krijoi një llogari në këtë aplikacion për të postuar aty një video të shkurtër dhe kjo në një kohë, kur kampi i demokratit po përpiqet të afrojë sa më shumë votuesit e rinj. Videoja e fushatës është parë rreth 9.6 milionë here, ndërsa llogaria ka gati 162,000 ndjekës.
Ligjvënësit, mes të cilëve senatorët Marco Rubio, Rick Scott dhe Josh Hawley i kërkuan Bidenit që ta “fshijë profilin dhe të pranojë publikisht kërcënimin e sigurisë kombëtare të paraqitur nga TikTok”. AS Shtëpia e Bardhë dhe as TikTok nuk iu përgjigjën kërkesave për koment mbi këtë letër, ndërsa kampi i Bidenit ka refuzuar të flasë.
Përpjekjet në Kongres për ndalimin e aplikacionit ose për të krijuar mënyra të reja për kufizimin e tij kanë mbetur në vendnumëro, teksa kompania kineze që e zotëron atë, ByteDance nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat e mjaft politikanëve amerikanë se është një mjet propagandistik i Pekinit zyrtar.