Në pritje të gjykimit për spiunazh dhe krime të tjera një ukrainas 71-vjeçar vdiq në Rusi në dhjetor. Kështu njoftoi organizata e të drejtave të njeriut “Memorial”, duke cituar dokumentet e gjykatës.

Organizata “Memorial” tha se kishte pak të dhëna për Viktor Demchenko, i cili mendohet se ka vdekur në paraburgim në rajonin jugor të Rostovit. Çështja kundër tij u dërgua në muajin gusht në një gjykatë ushtarake në qytetin e Rostov-on-Don.

Agjencia ruse e lajmeve TASS tha se për shkak të vdekjes së tij gjykata e kishte mbyllur çështjen kundër zotit Demchenko, i akuzuar gjithashtu për pjesëmarrje në një “grup terrorist” dhe mbajtje të paligjshme të armëve dhe municioneve.

Agjencia ruse e lajmeve citoi zyrtarët e zbatimit të ligjit të kenë thënë se zoti Demchenko vdiq më 31 dhjetor nga pasojat e një goditjeje në tru që kishte pësuar më parë. Nuk është e qartë arsyeja e vonesës së informacioneve për vdekjen e 71-vjeçarit ukrainas. /Reuters/