Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u kërkon qytetarëve të Kosovës të mos shfrytëzojnë pikën kufitare të Merdares me Serbinë, për shkak të protestave dhe bllokadave.

“Njoftohen të gjithë qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes Pikë Kalimit Kufitar në Merdarë, se në pjesën e SRB, për sot janë paralajmëruar protesta dhe bllokim të rrugëve, prej orës 12:00-15:00. Ju inkurajojmë që të përdorni PKK tjera për qarkullim. Për çdo informatë shtesë kontaktoni numrat e telefonit në QKMK 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095”, thuhet në njoftim.

Bllokimi i veturave do të bëhet në shenjë kundërshtimi të “terrorit” që qeveria e Kurtit po u bën serbëve, ku përfshihen të gjitha automjetet “të drejtuara nga shqiptarët përmes Merdarit, drejt Kurshumlisë, Nishit, Beogradit dhe më tej drejt Suboticës”, njofton Asosacioni. Asociacioni pretendon se serbët e zhvendosur kanë pritur 25 vjet që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të fillojnë një jetë të re me fqinjët e tyre shqiptarë “të cilët nuk kanë kryer krime”, shkruajnë mediat serbe.