Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Izraelin se nisja e një ofensive ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pa planifikimin e duhur do të ishte një “katastrofë”.

Shtëpia e Bardhë tha se nuk do të mbështeste planet për ndonjë operacion të madh në Rafah. Komentet vijnë disa ditë pasi udhëheqësi izraelit tha se i kishtë thënë ushtrisë i përgatitej për të operuar në Rafah.

Më shumë se gjysma e banorëve të Gazës tani jetojnë në qytetin në kufi me Egjiptin. Rreth 1.5 milionë palestinezë po mbijetojnë atje në kushte të ështira humanitare.

Pjesa më e madhe e Gazës veriore dhe qendrore është kthyer në gërmadha nga bombardimet e vazhdueshme izraelite që nga fillimi i luftës më 7 tetor.

Duke folur të enjten në mbrëmje, dhe pa iu referuar Rafah, presidenti i SHBA Joe Biden tha se veprimet e Izraelit në Gaza kishin qenë “të ekzagjëruara”.

Më herët, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby tha se ushtria izraelite kishte një “detyrim të veçantë ndërsa kryen operacione atje ose kudo tjetër për t’u siguruar që të mbrojnë civilët e pafajshëm.

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, i bëri jehonë komenteve të Kirby, duke thënë: “Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesim ndërmarrjen e diçkaje të tillë pa një planifikim serioz dhe të besueshëm”.

Është e rrallë që SHBA, një aleat kyç dhe mbështetës ushtarak i Izraelit, të flasë për ndonjë fazë të ardhshme të ofensivës ushtarake të vendit në Gaza por ky ishte një paralajmërim i qartë.

Uashingtoni dërgon rreth 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin çdo vit. Rreth 1,300 njerëz u vranë gjatë sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, sipas zyrtarëve izraelitë.

Më shumë se 27,800 palestinezë janë vrarë dhe të paktën 67,000 janë plagosur nga Izraeli, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.