Në rrugën Dalmatinska në qendër të Zagrebit, më 19 shkurt 1931, tre agjentë të shërbimit sekret të shtëpisë mbretërore të Beogradit sulmuan albanologun dhe politikanin kroat Milan von Šufflay (Millan Shufllaj). Ai vdiq nga pasojat e goditjes në kokë me çekan.

Pas krimit, dorasit raportuan me krenari në Beograd: “E vramë kokën e udhëheqjes kroate”. Përveç se ia morën jetën një dijetari të madh kroat të shkolluar në Vjenë, atentatorët kryen edhe një krim tjetër: vodhën vëllimin e tretë të veprës së Milan von Šufflay: “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Deri më sot nuk ka të dhëna se ku gjendet ky punim.

Krimi kundër Milan von Šufflay tronditi shumë intelektualë perëndimorë. Dy prej tyre, fizikani Albert Einstein dhe shkrimtari Henrich Mann (vëllai i nobelistit Thomas Mann), shkruan një letër proteste kundër regjimit jugosllav. Letra u botua në gazetën amerikane “New York Times”.

Milan von Šufflay fliste, krahas kroatishtes dhe gjuhëve të tjera sllave, edhe frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, greqishte të vjetër, latinisht, greqishte te re, shqip, hebraisht dhe sanskritisht.

Milan von Šufflay është autor i një romani për Konstantin Balshën. Këtë roman e ka shkruar me pseudonimin Alba Lima. Po ashtu është autor i romanit të parë fantastiko-shkencor në kroatisht: “Në Oqeanin Paqësor në vitin 2255”. Romanin për Konstantin Balshën, dr. Millan Shufllaj e ka shkruar me pseudonimin Alba Limi. (E.Robelli)