Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh sot se “Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që i është bashkuar vullnetit për të vendosur sanksione të forta politike, diplomatike dhe ekonomike mbi agresorin rus në Ukrainë”.
Në manifestimin në solidaritet me Ukrainës të organizuar nga bashkia e Tiranës në 2-vjetorin e nisjes së agresionit rus në Ukrainë, ministrja Spiropali shprehu solidaritetin me popullin e Ukrainës.
“Tre dekada pas rënies së komunizmit, ish-Bashkimit Sovjetik dhe rënies së dhunshme të ish-Jugosllavisë dhe një morie ndeshjesh lokale anekënd botës, një tjetër perde e hekurt dhe e lëvizshme në aksin lindje-perëndim ka ndarë rishtas Europën, kësaj here në skajin më lindor të saj, në Ukrainë. Atje ku nacional-imperializmi i ri rus, trashëgimtar i komunizmit të egër sovjetik ka shpërthyer një luftë të re, të paprovokuar, të padrejtë dhe mizore”, u shpreh Spiropali.
“Plumbat, predhat dhe avionët e tanke janë të vërtetë, të vrarët janë njerëz të vërtetë e bombat që gjymtojnë janë totalisht të vërteta. Vdekja vjen për një faj të vetëm, viktimat i përkasin një kombi e etniteti tjetër, me histori tjetër e për më shumë kanë zgjedhur të jetojnë duke parë nga perëndimi dhe me shpinë nga e shkuara”, shtoi ajo.
Spiropali theksoi se ajo që po ndodh mes dy vitesh tërësisht të gjata është një ndeshje mes dy botësh, një përplasje mes dy qytetërimesh.
“Në lindje të Ukrainës është kufiri më lindor i perëndimit, kufiri ndarës mes një mënyre qeverisëse që e zgjedh individin dhe një mënyre tjetër që ka një individ të vetëm mizor që vendos me vullnetin e tij se si do të qeverisë mbi vullnetin e lirë të popullit, që vret kundërshtarët ashtu siç bëri në burg me kundërshtarin e tij politik, Navalny”, theksoi ministrja.
Spiropali theksoi se në Ukrainë nuk ka thjesht një luftë territoresh mes një agresori që pushton dhe një viktime heroike që mbrohet, por ka një ndeshje të përgjakshme për lirinë, për të drejtën e çdo kombi për të jetuar në liri dhe për të garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial, politik dhe njerëzor.
“Ne e njohim këtë sakrificë të madhe Ukrainës dhe i përulemi asaj. Kjo është një dëshmi për të gjitha vlerat tona dhe të qytetërimit tonë për të cilat ata qëndrojnë fort. Është
e vështirë të kuptohet drama dhe tragjedia që po ndodh përditë aty. E papranueshme që çdo mëngjes mund të jetë i fundit, por edhe më e pamundur t’i privohet atyre njerëzve të pafajshëm çdo ndihmë e mundshme, çdo lloj solidariteti nga fjala që denoncon agresorin tek armët që ju duhen për vetëmbrojtje nga agresori”, tha Spiropali.
Ajo theksoi se “SHBA, BE, NATO dhe të gjithë aleatët e tjerë e kanë bërë diçka të tillë”.
“Shqipëria është me ta dhe luten bashkë me ta që kjo marrëzi makabre të përfundojë. Prej 10 vitesh që kur kjo murtajë ra fillimisht në Krime, Shqipëria është shprehur qartë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës”, tha Spiropali.
Ministrja theksoi se “Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që i është bashkuar vullnetit për të vendosur sanksione të forta politike, diplomatike dhe ekonomike mbi agresorin”.
“Përveç ndihmës ushtarake, ne kemi përdorur zërin dhe ndikimin tonë në Këshillin e Sigurimit si bashkëpenëmbajtëse me SHBA-në në samitet europiane e kudo tjetër për Ukrainën. Kryeministri Rama dhe kryeministri Abazoviç në atë kohë ishin ndër vizitorët e parë në mes të luftës në Ukrainë në 2022, së bashku me ambasadorin dhe deklaruan nga Kievi se e mbështesin plotësisht statusin kandidat të Ukrainës si lëvizje urgjente gjeopolitike”, theksoi ministrja.
“Ne shqiptarët në gjithë rajonin tonë e kemi ende të freskët tragjedinë që kishte planifikuar mbi popullin shqiptar nacionalfashizmi i Millosheviçit në fund të shekullit të shkuar. I kemi të gjalla plagët e agresionit mbi civilë të pafajshëm. Në triumfin e djeshëm tonin mund të shohim se herët a vonë edhe në Ukrainë do të triumfojë liria. Duke përshëndetur nga larg njeriun simbol të kësaj rezistence, presidentin Zelensky dhe duke i uruar atij mirëseardhjen në Tiranë në samitin që do të nisë në këtë fundshkurt ndaj me ju bindjen se magjia e lirisë dhe demokracisë mund të plagosen por nuk mund të vriten kurrë”, tha Spiropali.