Një sagë e jashtëzakonshme spiunazhi me në qendër një refugjat nga Afganistani bëhet publike nga prestigjozja The Times, që tregon sesa lehtësisht mund të depërtojnë personazhe të tillë jo vetëm në radhët e qeverisjes, por edhe ato të shërbimeve sekrete.
Personi në fjalë, emri i të cilit nuk bëhet publik por vetëm pseudonimi C2, kishte gënjyer thuhet në shkrim për të siguruar azil në Mbretërinë e Bashkuar, e kishte arritur të punonte për Foreign Office, të kishte qasje në sekretet e ushtrisë dhe inteligjencës britanike e të takohej edhe me mbretin Charles përpara se monarku të merrte fronin.
“Refugjati nga Afganistani, i cili akuzohet për spiunazh për agjencinë e inteligjencës ushtarake të Rusisë, ka punuar edhe për MI6, sipas një gjykate”, thuhet në shkrimin e detajuar të Times. Ai punoi me dy kryeministra dhe u takua me Charles dhe Princin William gjatë vizitave në Afganistan ndërsa punonte për qeverinë britanike, ndërsa përfundoi të merrte shtetësinë ruse dhe atë britanike.
Kjo e fundit, spiunit të supozuar iu hoq në vitin 2019 pasi shërbimi britanik i sigurisë, MI5, arriti të besonte se ky individ ishte në fakt agjent i GRU-së, agjencia ruse e inteligjencës ushtarake e akuzuar për orkestrimin e sulmit me agjent nervor në Salisbury, një përpjekje e dështuar kjo për helmimin e agjentit të dyfishtë ruso-britanik, Sergei Skripal.
Vetë spiuni i pretenduar ka vazhduar ta mohojë se është agjent, apo se përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Britanisë së Madhë, por e pohoi se MI5 e ka akuzuar si është parë si asset rus që në moshën 5 vjecare. Personi i identifikuar si C2 hyri në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2000 dhe iu dha azil pas pretendimeve të tij se po i largohej talebanëve dhe se kishte shkuar atje direkt nga Afganistani, në një kohë kur kishte jetuar për gjashtë vjet në Rusi.