TikTok do të ndërmarrë hapa shtesë në luftën kundër dezinformimit përpara zgjedhjeve të ardhshme të Bashkimit Evropian. Siç u njoftua këtë të enjte, do të krijohet një seksion i veçantë në gjuhët e të gjitha vendeve anëtare, ku përdoruesit do të mund të kontrollojnë informacionin.
TikTok tha se videot në lidhje me zgjedhjet e BE-së do të flamurohen për t’i ridrejtuar përdoruesit në një “qendër zgjedhore” për verifikim brenda aplikacionit, në gjuhën e tyre. Në ato “qendra” me ndihmën e komisioneve zgjedhore vendore dhe shoqërisë civile do të shfaqet “informacion i besueshëm” për votimin.
Në tetor, Komisioni Evropian hapi një hetim për përmbajtjen në TikTok, X dhe Meta (Facebook dhe Instagram), duke kërkuar shpjegime në lidhje me masat e marra kundër dezinformimit dhe “përmbajtjes së paligjshme”.
Rreth 6,000 njerëz aktualisht punojnë për të moderuar përmbajtjen në TikTok në gjuhët evropiane në BE. Qindra miliona evropianë duhet të zgjedhin 720 anëtarë të Parlamentit Evropian në qershor.
Këtë vit, më shumë se 50 vende po zhvillojnë zgjedhje në nivel kombëtar dhe ky rrjet social po përgatitet të trajtojë më intensivisht kontrollin e informacionit mashtrues në formën e fotove dhe videove, të krijuara nga inteligjenca artificiale. TikTok, i cili është në pronësi të ByteDance të Kinës, ka 134 milionë përdorues në Evropë.