Enea Rossi, 25 vjeç nga Italia këto ditë ndodhet në Elbasan. Jo në një udhëtim pune, por për të marrë shërbim dentar. Rossi tregon për Euronews Albania, pse zgjidh të bëj shërbimin dentar në Shqipëri.
“Erdha në Shqipëri për ta vizituar sepse është një qytet i bukur është shumë mirë. Ka shumë njerëz të mirë dhe për gjënë më të rëndësishme erdha për dhëmbët. Kam probleme me mbushjen dhe protezat. Doktoresha është shumë e mirë dhe çmimi këtu është shumë, shumë më i lirë, me mirë se kaq prishet”, thotë ai.
Stomatologia Lela Sejdo tregon se fluksi i tyre është shtuar ndjeshëm, ndërsa shërbimet e kërkuara janë që nga kontrollet e thjeshta e deri tek implantet dentare.
“Si Enea unë kam plot pacientë, kryesisht nga Italia, Amerika, Greqia. Nga Franca ka pasur shumë pacientë këtë vit, të cilët përveç shëtitjeve që bëjnë në Shqipëri, vijnë edhe në klinikë për të rregulluar jo vetëm dhëmbët. Shërbimi që mund të ofrohet këtu është shërbimi për implantologjinë, shërbimet me lazer janë shërbime bashkëkohore”, tregon stomatologia.
Sejdo, thekson se arsyeja pse turistët vërshojnë drejt klinikave shqiptare është çmimi.
“Patjetër që po, çmimet Amerika për shembull i ka jashtëzakonisht shtrenjtë, ndërsa vendet europiane Italia, Franca janë me gjysmën e çmimit. Ndërkohë që shërbimi është i njëjtë nga ana e mjekut si këtu ashtu ne Itali, Greqi apo kudo ne Europë”, thotë ajo.
Ky fluks ka ndikuar në çmim, dhe për vendasit shërbime të tilla janë të pamundura.
Italia, për shkak të afërsisë, vijon të mbajë numrin më të lartë të asaj që tashmë e quajmë turizëm dentar apo estetik. E siç do të ishte normale, ndërsa marrin shërbimin për të cilin kanë zgjedhur Shqipërinë, bëjnë edhe turizëm.