Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i tha rrjetit televiziv kinez, CGTN, se Tajvani është territor i Kinës dhe se i takon Kinës të vendosë se çfarë të bëjë me të. I pyetur për çështjen e këtij territori, Vuçiç tha se nuk i duhen më shumë se dhjetë sekonda për t’u përgjigjur.
“Tajvani është Kinë dhe varet prej jush se çka, kur dhe si do të veproni me të. Pikë”, tha Vuçiç. Kina e trajton Tajvanin si territor të sajin renegat, ndërsa Tajvani e sheh veten si shtet sovran. Vuçiq tha se politika e Serbisë është “një Kinë” dhe se do të vazhdojë të jetë kështu edhe në të ardhmen.
“Ai është territori juaj, është populli juaj. Ju jeni vend sovran, ju i merrni vendimet. Mbështetjen e popullit serb do ta keni gjithmonë”, shtoi ai për CGTN-në, shkruan REL. Serbia llogarit në mbështetjen e Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, në lidhje me mosnjohjen e Kosovës si shtet. Serbia është duke negociuar anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, por, në të njëjtën kohë, është duke forcuar edhe marrëdhëniet me Kinën, me të cilën bashkëpunon në fushën e infrastrukturës dhe mbrojtjes.
Kina dhe Tajvani kanë qeveri të ndara që nga përfundimi i një lufte civile në vitin 1949. Pekini, prej kohësh, përpiqet që t’i kufizojë aktivitetet ndërkombëtare të Tajvanit. Sovraniteti i Tajvanit njihet nga 13 vende në botë, por Qeveria e tij, e zgjedhur në mënyrë demokratike, ka lidhje të forta ekonomike dhe joformale me shumë vende.