Përballje spektakolare pritet mbrëmjen e kësaj të mërkure, në “Diego Armando Maradona”, me kampionët në fuqi të Spanjës, Barcelona që do të sfidojnë “homologët” italianë, të Napoli, në përballjen e parë të fazës së 1/16-ve, të UEFA Champions League, me “Blaugranat”, që rikthehen në këtë fazë, pas dy viteve mungesë.
Siç e do zakoni një ditë para kësaj sfide u mbajt edhe konferenca e zakonshme për shtyp, nga ku tekniku, Xavi Hernandez fillimisht foli për rikthimin e madh e më tej u ndal te kualiteti i sulmit napoletan, teksa ndaj Osimhen, Kvaratskhelia e Politano, “strategu” spanjoll u shpreh se nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u mbrojtur.
“Për ne, rikthimi në fazën e 1/16-ve paraqet shpresë. Duam të arrijmë në çerekfinale. Ndaj Napoli do të duhet të tregojmë gjithçka që kemi punuar, ka kushtet për të luajtur një ndeshje e madhe, pavarësisht se ka ndërruar trajner në mënyrë befasuese.
Nuk është e lehtë të përgatitësh ndeshjen me këtë ndërrim trajneri, por duhet të tregojmë personalitet dhe të bëjmë gjithçka mirë në sulm dhe në mbrojtje sepse po luajmë kundër kampionëve të Italisë. Politano, Osimhen dhe Kvaratskhelia formojnë një sulm të madh, janë lojtarë të nivelit të lartë”,- u shpreh tekniku i 5 herë kampionëve të Evropës.