Presidenti Vladimir Zelensky ka nënshkruar një projektligj që legalizon përdorimin mjekësor të kanabisit në Ukrainë.
Zyrtarët në Kiev argumentojnë se përdorimi i kanabisit mjekësor do të ndihmojë ushtarët dhe civilët të trajtojnë çrregullimin e stresit post-traumatik, një sindromë e shfaqur gjerësisht në mes të konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë.
Ligjvënësit ukrainas miratuan projektligjin me shumicë dërrmuese në një votim me 248 vota pro dhe 16 kundër në dhjetor. Ata do të punojnë tani për rregulloret e nevojshme për të lejuar importin e produkteve me bazë kanabisi, pasi zhvillimi i kultivimit vendas do të marrë më shumë kohë.
Ligji do të hyjë në fuqi pas gjashtë muajsh dhe “do të rregullojë qarkullimin e bimëve të kërpit për qëllime mjekësore dhe industriale, (si dhe) aktivitete shkencore dhe shkencore-teknike në mënyrë që të zgjerohet qasja e pacientëve në trajtimin e nevojshëm të sëmundjeve onkologjike dhe çrregullimet e stresit post-traumatik të marra si rezultat i luftës”, thuhet në tekst.
Një këshilltare e pavarur evropiane për kanabisin mjekësor, Hanna Hlushchenko, e cila ka punuar me lobin ukrainas pro-marijuhanës, i tha Forbes se vlerësimi i saj është se “produktet e para do të dalin në treg në tremujorin e tretë ose të katërt të këtij viti”.
Presidenti Zelensky e kishte promovuar masën si një mënyrë për ukrainasit për të lehtësuar dhimbjen dhe ankthin, duke argumentuar se Ukraina duhet të ndjekë shembujt perëndimorë.
“Të gjitha praktikat më të mira të botës, të gjitha politikat më efektive, të gjitha zgjidhjet, pavarësisht sa të vështira apo të pazakonta mund të na duken, duhet të zbatohen në Ukrainë”, tha Zelensky në parlamentin e vendit, vitin e kaluar.
Kritikët e ligjit, që përfshijnë edhe ish-kryeministren Yulia Timoshenko, kanë argumentuar se ai ka shumë të meta dhe do të lejojë “bizneset triliona dollarëshe të drogës dhe mafiozët e drogës të pasurohen edhe më tepër në vend”.