Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali sot në 25-vjetorin e nisjes së operacionit të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga gjenocidi serb shprehu mirënjohjen për Aleancën EuroAtlantike dhe SHBA-në.

“25 vite më parë, avionët e NATO-s nga qielli nisën të parën luftë humanitare në Europën e pasluftës së Dytë Botërore për të shpëtuar qytetërimin nga agresioni i neofashizmit nacionalist të Milosheviçit dhe për të mbrojtur qytetarët e Kosovës nga masakra dhe genocidi shtetëror i Beogradit”, shkruan Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Spiropali tha se “forca e NATO-s, vetdija e komunitetit ndërkombëtar bashkuar me sakrificat e jashtëzakonshme të burrave dhe grave të UÇK-së i dhanë jetë kësaj beteje epike dhe shpëtuan ndërgjegjen e Perëndimit duke korrektuar historinë dhe duke i rikthyer shqiptarëve dinjitetin e jetës në liri”.

“Mirënjohje pafund e të përjetshme Aleancës EuroAtlantike dhe partnerit tonë strategjik, SHBA-së.Nderim përjetë heronjve dhe viktimave të luftës në Kosovë, që me gjakun e tyre shtruan udhën e lirisë.Ishte koha kur shqiptarët si komb takuan historinë. Ishte kohë kur historia nisi të shkruhet ndryshe dhe më mirë për shqiptarët”, tha Spiropali.

Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi. Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.