Juventusi i Max Allegrit po përgatitet të përballet me Napolin në një sfidë tejet delikate për bardhezinjtë, të cilët janë thirrur t’i japin vazhdimësi fitores shumë të vështirë në shtëpi ndaj Frosinones, si dhe të shpagojnë disfatën e rëndë 5-1 që pësuan një vit më parë.
“Ne vijmë nga një shkurt i vështirë, në të cilin fituam vetëm ndaj Frosinone, – ishin fjalët e trajnerit livornez në konferencën për shtyp. – Le të sigurohemi që marsi të jetë më i mirë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, duhet të bëjmë më mirë në mbrojtje, përndryshe rrezikojmë të dalim me kocka të thyera nga stadiumi ‘Maradona’. Humbja e vitit të kaluar? Ne nuk kemi fituar në Napoli prej 5 vitesh, kështu që do të ishte mirë ta prishin nesër këtë ters”. Për rëndësinë e sfidës – “Është një ndeshje shumë e vështirë, Napoli ka vlerë të madhe teknike dhe një pozicion të pamerituar në renditje. Skuadra ka punuar mirë, i dimë vështirësitë e ndeshjes”. Mbi Chiesa dhe të dëmtuarit – “Federico ka pasur një ditë pushimi për shkak të një goditjeje, por do të jetë i disponueshëm nesër. Danilo do të jetë gjithashtu. Kean do të kthehet javën tjetër, ashtu si Perin. McKennie do të përpiqet. Sa për Rabiot duhet të shohim se si reagon këmba e tij”.
Për Danilon në mesfushë – “Janë Alcaraz, Miretti dhe Nonge, kemi mesfushorë. Për më tepër, Danilo ka bërë vetëm një seancë stërvitore, nuk ka kuptim ta rrezikojmë, me shumë përplasjet direkte që kemi nga këtu e tutje, përveç gjysmëfinaleve të Kupës së Italisë. Ende nuk i kemi pikët e nevojshme për të na garantuar Champions League. Pjesa e mbetur e kampionatit do të jetë e vështirë, duhet t’i kemi të gjithë lojtarët në maksimumin e tyre”. Për rinovimin e tij – “Nuk kam biseduar për këtë me klubin ende. Kam edhe një vit të mbetur në kontratën time dhe gjëja më e rëndësishme është ta përfundoj sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Kur drejtuesit të kenë vendosur për të ardhmen e Juventusit, me siguri do të bisedojnë edhe me mua si trajner”. Botërori për Klube dhe fjalët e De Laurentiis – “Nuk do të komentoj fjalët e presidentit, mund të them vetëm se ende nuk e dimë nëse do të marrim pjesë në Champions League. Na mungojnë të paktën 13 pikë, sepse për të qenë të sigurt duhet të arrojmë kuotën e 70 pikëve. Për sa i përket Botërorit të Klubeve jemi të lidhur me rezultatet e skuadrave të tjera”.
Mbi vendin e dytë – “Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta përfunduar në vendin e dytë, sepse do të përmirësonim renditjen e vitit të kaluar. Të flasim për hipoteza të së ardhmes nuk ka kuptim. Duhet të mendojmë për Napolin, pastaj Atalantën, për të luajtur në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm. Do të ishte vlerë e shtuar në nivel teknik dhe mbi të gjitha ekonomik”. Situata e Djalò – “Jam i kënaqur me blerjen e tij, por duhet të kemi pak durimi, sepse ai po kthehet nga operacioni”.
Si neutralizohet Kvaratskhelia – “Nuk kam vendosur ende për formacionin, por Napoli ka shumë lojtarë të fortë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, në të cilën do të duhet vëmendje e madhe për të marrë rezultat pozitiv”. Mbi humbjen 5-1 të vitit të kaluar – “Më shumë se çdo gjë, ne nuk kemi fituar në Napoli prej pesë vitesh, kështu që do të ishte mirë ta prishin nesër këtë ters”. Si duhet përballur Napoli – “Siç thashë më parë, do të duhet të jemi proaktivë kur ta kemi topin në gjysmën e tyre të fushës. Unë kam besim në performancën e ekipit, djemtë janë mirë dhe duan të luajnë një ndeshje të madhe”.