Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj vijoi turin e anëtarësimeve të reja në Njësitë Petrelë, Farkë, Baldushk, ku nënvizoi se këto zona kanë pasur zhvillimin më të madh dhe kanë sjellë po ashtu një fitore të madhe për Partinë Socialiste.

“Kur jemi bashkë, marrim vendime të mëdha. Rruga e Taganit aty ka qenë, po ashtu edhe Rruga e Qehasë, – shumë prej nevojave që kemi pasur në komunitet, si qendra rinore që sapo hapëm në Petrelë, aty ka qenë, – por, kur ti je pjesë e një familjeje të madhe, ti merr vendime që nuk i merr dot vetëm. Ndaj bashkimi me këtë familje është propozim për të qenë pjesë e një shtëpie, e një çatie të madhe, e një grupi të madh ku marrim vendime shpejt, që na e ngrejnë kokën lart kur kthehemi në komunitet me fjalën e mbajtur. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër fakti që, në të treja njësitë, kemi fituar me mbi 60% në zgjedhjet e fundit”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se Partia Socialiste i ka dyert e hapura për këdo që do të bëhet pjesë e forcës më të madhe politike në vend dhe e të vetmes forcë që çon vendin përpara.

“E vlerësoj jashtë mase faktin që tre njësitë tuaja e kanë kapur derën e PS në kohë, me shpresë për të mos e mbyllur më kurrë, për çuna dhe goca, për burra dhe gra, për gjyshër e gjyshe, për këdo që vjen nga emigracioni ose nga rrethe të tjera, apo edhe për ata që janë ‘den baba den’ këtu, sepse një shtëpi e madhe ka vend për të gjithë. Mesazhi është që po shtohet dera jonë, po hapet familja jonë, po bëjmë një krushqi të re, po na shtohet gjak i ri, do ketë të ardhme, do vazhdojë ky emër, kjo derë e madhe. Kur na vijnë çuna dhe goca të rinj, do të thotë se kjo forcë politike ka të ardhme, kjo shtëpi po shtohet dhe fitoret tona vetëm do të pasojnë”, nënvizoi Veliaj.

Në fund të fjalës, Veliaj tha se ndihet i lumtur dhe krenar për njerëzit që po i bashkohen Partisë Socialiste.

“Një nga gjërat që më ka pëlqyer shumë në turin e deritanishëm, është sa njerëz të mirë po bashkohen me PS-në. Kur them njerëz të mirë, flas për çuna dhe goca me 10-ta, me arsim të lartë, njerëz që punojnë në privat dhe nuk kanë asnjë nevojë nga shteti apo që kanë ardhur nga emigracioni. Kur them diçka të tillë, nuk është se them ndonjë hata të madhe, se njerëzit e mirë tek njerëzit e mirë do shkojnë, njerëzit e aftë tek njerëzit e aftë do shkojnë, njerëzit e talentuar do shkojnë te njerëzit e talentuar dhe njerëzit e punës do shkojnë te njerëzit e punës. Ndaj them që kjo është arritja jonë më e madhe, që po tërheqim pjesën më të mirë, pjesën më fituese dhe pjesën më të talentuar të shoqërisë”, përfundoi Veliaj.