Nga Jakin Marena

Përpjekjet e Greqisë për të rritur ndikimin e vet në Shqipëri, dhe veçanërisht në Himarë, nuk kanë rreshtur asnjëherë. Përkundrazi!
Me të gjithë mënyrat, herë të sifistikuara dhe herë të hapura, veçanërisht në Himarë, Athina gjithnjë është munduar të arrijë të ketë mbështetësit e vet, kryesisht në zonat e jugut.

Në fillim ishte karta e homogjenitetit, pastaj ishte pensioni për të gjithë ata që e konsideronin veten grekë në Shqipëri, pajisja me pasaporta greke, lehtësimi në punësime gjatë emigracionit dhe veprime të tjera të këtij lloji që u përdorën rëndë dhe hapur për të krijuar një mundësi depërtimi në punët e Shqipërisë.
Ia ka dalë në shumicën e rasteve, herë duke shfrytëzuar etjen e drejtuesve shqiptarë të shtetit për pushtet, herë naivitetin e tyre dhe në shumicën e herëve varfërinë e tejskajshme të shqiptarëve dhe pafuqinë e shtetit shqiptar.

Nëse në fillim të viteve ’90 teksa u themelua organizata “Omonia” që përfaqësonte minoritetin grek në zonat minoritare në jug të vendit, një gabim trashanik i Berishës i cili kishte konflikt me Greqinë ku i hoqi të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje të kësaj organizate, i dha mundësinë e shndërrimit në parti, pra themelimit të PBDNJ.

Parti e cila përmes mbështetjes nga Athina, hallit të shqiptarëve që ndryshuan dhe emrat duke i kthyer nga emra myslimanë në grekë, dhe fuqisë financiare të të kësaj partie, ajo arriti që të shtrihej jo vetëm në Jug të Shqipërisë por në të gjithë vendin, të marrë vota deri në Kukës e Dibër.

Ndikimi u shtri dhe në Progonat ku ‘prodhoi’ grekun Fredi Bejleri që hyri ‘kollovar’ në Himarë, apo mallakastrioto-mirditorin Bollano, të kthyer në grek, pa përjashtuar dhe të afërm të patriotit dhe shkrimtarit të madh Petro Marko që bëjnë si grekë e shkuar grekëve.

Nuk ka asgjë të keqe këtu të bënnn e bëjnë si grekë. Madje dhe mund të ‘transfuzonin’ gjakun, pasi jemi në një vend demokratik, ku secili ka të drejtë të bëjë zgjedhjen e tij e të bëjë çfarë të dojë me veten. Pra nuk do të përmendeshin fare nëse këta individë të mbështetur politikisht, financiarisht dhe me infrastrukturë të mirëorganizuar nga Athina nuk do ktheheshin si precedentë e si një ‘litar jashtë’ në Shqipëri, duke tensionuar dhe konfliktuar marrëdhëniet greko-shqiptare sa herë që ia lyp nevoja Athinës zyrtare, sa herë që një parti politike në Greqi është në hall për vota, sa herë që kërkojnë të marrin ndonjë copë det në Shqipëri apo ndonjë privatizim madhor.

Siç po ndodh dhe sot me Fredi Bejlerin, kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarë, i cili me mbështetjen e Athinës por dhe të ‘kallauzëve’ shqiptarë të cilët e kandiduan, flasim për koalicionin “Bashkë Fitojmë” të drejtuar nga Sali Berisha, pra Beleri u kap në flagrancë duke blerë vota, dhe u dënua me dy vite burg për korrupsion zgjedhor.

Pavarësisht se nuk duhej të kishte kandiduar pasi ka marrë pjesë me armë në dorë në masakrën e Peshkëpisë, ku në përbërje të grupit të komandove grekë, vranë oficerë dhe ushtarë të postës kufitare shqiptare në kufirin me Greqinë. U dënua asokohe në Greqi për armëmbajtje pa leje, u dënua dhe në vitin 2003 për përdhosje të simboleve kombëtare shqiptare, por nuk bëri asnjë ditë burg pasi u arratis në Greqi dhe qëndroi atje.

Ndërkohë që u rikthye në Shqipëri dhe si një hidraulik i mirë dhe profesionist sikurse shkruan dhe vetë në deklaratën e kandidimit për kryetar bashkie në Himarë, me paratë që ‘fitonte’ me këtë zanat ngriti dhe një dyqan peshku ku filloi ushtrimin e qëllimit të tij për ‘helenizimin e Himarës dhe të krejt jugut të vendit”.

Dhe ja ku jemi sot, Beleri i dënuar me vendim të drejtësisë së re shqiptare me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, ka sjellë ngritjen e tensioneve mes Athinës dhe Tiranës, kërcënimet e qeverisë greke për bllokim të negociatave të Shqipërisë me BE, por dhe paralajmërimet për një ‘fshesë’ të re ndaj emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Kërcënime këto që bëhen në kushtet kur drejtësia e re shqiptare ka mbështetjen e fortë në punën e saj nga aleatët tanë të mëdhenj, SHBA, BE e Britania, të cilët i janë kundërvënë në këtë mënyrë Athinës zyrtare në qëllimin e saj për të bërë presion ndaj Shqipërisë me bllokimin e procesit të anëtarësimit në BE. Por dhe duke ia hequr ‘armën’ me të cilën kërkon ta bëjë këtë bllokim përmes heqjes së vetos për zgjerimin e Unionit.

Dhe duke qënë se edhe Rama nuk lëviz nga qëndrimi i tij i shprehur gjithëherë se nuk ndërhyn në punët e drejtësisë së re duke e mbështetur atë fort në punën e saj për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, në cilin krah politik qëftë, me sa duket Athina zyrtare ka hedhur idenë e një projekti të ri, apo ndjekjen e ‘taktikave’ të reja sikurse e deklaron publikisht një nga mbështetësit më të fortë të linjës greke në Shqipëri, gazetari himarjot Stavri Marko.

Ai thotë pa drojë se ‘do çmontohet një koncept në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri. Kemi të bëjmë me qindra mijëra mesa di unë, shtetas grekë, të cilët përbëjnë një forcë të konsiderueshme dhe taktika greke besoj se tani do ti përdorë, do të bëjë një grumbullim të shtetasve grekë. Ata që janë të detyruar që të zbatojnë ligjet e shtetit grek.

Mendoj që do të ketë një lëvizje të re për unifikimin e faktorit grek, të minoritetit grek në Shqipëri. Deri diku do të kemi një formim të ri, ndoshta një parti të re, të përbëri nga komuniteti grek, diçka që është diskutuar vite më parë. Ndoshta do të kemi gjëra shumë më të reja mesa shikoj, sepse po shohim që faktori grek është dobësuar. Siç janë partitë politike shqiptare në Maqedoni, mal të zi , apo siç janë partitë serbe në Kosovë. Greqia ka mbajtur Omonian, që ishte një organizatë politike, jo parti, kështu që ka mbajtur nivelet e ulëta të përfaqësimit në parlamentin shqiptar’!

Dhe gazetari pro grek në Shqipëri nuk është se nuk ka informacion nga Athina. Ndaj dhe ka zbardhur projektin më të ri të Greqisë për të vënë në vështirësi, në mënyrën e saj, Tiranën zyrtare përmes krijimit në Shqipëri të një partie politike greke.

Nëse marrim për referencë raportimet e medias greke të papërgënjeshtruara deri më tani nga ana e Athinës zyrtare se Bejleri do të jetë kandidat i Demokracisë së Re të Kyriakos Mitsotakis në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, atëherë i bie që kryeministri grek kërkon të krijojë një parti të ngjashme me atë të “Agimit të Artë’, që për hir të së vërtetës në Greqi është nxjerrë jashtë ligjit. Me sa duket kërkon ta impostojë në Shqipëri. Kështu i bie, pasi definitivisht “heroi’ më i ri grek, hidrauliku Fredi Bejleri do të jetë dhe kryetar i “Agimit të Artë Shqiptar” që pritet të themelohet në Shqipëri nga Athina zyrtare.

Shqipëria ka treguar me vepra se i trajton minoritetet sipas konventave ndërkombëtare dhe minoritarët si shtetasit e vet. Madje më mirë se sa shtetësit e vet. Edhe në kohën e Enver Hoxhës. Për pasojë ka qënë dhe është për respektimin e të gjitha të drejtave të tyre në Shqipëri, dhe për krijimin e partive politike, sikurse ka ndodhur. Pavarësisht se në Greqi nuk respektohen. Madje me ligj s’ka minorite në Greqi, ndonëse ekziston një minoritet i madh shqiptar, që nga arvanitët e deri tek çamët. Këta të fundit ata që kanë mbetur në Greqi, dhe një shumicë që janë në Shqipëri, që me gjithë dëshirën e kërkesat e njëpasnjëshme nuk lejohen të kthehen në trojet e tyre. Madje u ndalohet dhe hyrja dhe bllokohen në kufi.

Për të mbetur tek ‘taktikat’ greke për të zgjeruar ndikimin në Shqipëri përmes krijit të një partie ekstremiste si ‘Agimi i Artë’ në Shqipëri, lajmet janë dhënë nga njerëz që besohet se kanë informacione nga Athina zyrtare, mund të bëjmë një pyetje shumë të thjeshtë, me të thjeshtën në botë: Po sikur emigrantët shqiptarë të akomoduar në Greqi, janë afër 1 milion të tillë që punojnë dhe jetojnë në shtetin grek, të bëhen në një mendje dhe të themelojnë një parti shqiptare për të garuar si parti më vete në zgjedhjet greke dhe për pasur vendet e veta në Parlamentin grek?

Nuk është antiligjore, është një e drejtë që në një vend demokratik lind bashkë me lindjen e njeriut, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, për të punuar, për t’u ushqyer, për t’u riprodhuar dhe për t’u organizuar në një formacion politik siç e duan vetë. Për të themeluar një parti politike të veten. Në Shqipëri nuk ndalohet askush. Ka parti të minoritet grek, bullgar, maqedonas etj, mjafton të plotësojë kriteret dhe regjistrohet menjëherë. Pavarësisht sa vota marrin.

Shqiptarët janë 1 milionë në Greqi, dhe ka shumë gjasa të dalin parti e tretë politike në vend nëse do ta merrnin një vendim të tillë. Por dhe nëse do të lejoheshin nga Athina. Jemi shumë kuriozë të dimë qëndrimin e shtetit grek në rast se ka një kërkesë të tillë nga ana e 1 milionë emigrantëve shqiptarë. Për proporcionalitet themi, ndaj do ishim shumë kuriozë ta dinim, sepse në Shqipëri nuk përbën lajm dalja në skenë e një partie të re greke. Mjafton të respektojë ligjet shqiptare. Në Greqi nuk japim garanci, pavarësisht se është vend anëtar i BE.

Kjo më bie ndërmend kur dëgjoj lajme për krijimin e një force politike greke në Shqipëri nga ana e Athinës, sidomos një kopje të “Agimit të Artë” greke, që në shtetin fqinj është nxjerrë jashtë ligjit. Ndoshta duan ta eksperimentojnë në Shqipëri. Kurioziteti ynë vjen thjeshtë për hir të proporcionalitetit. Të presim ‘taktikat’ e reja greke, pasi ka dështuar deri më tani me taktikat aktuale.