Nga Ylli Pata

Kreu i Partisë Demokratike thuajse zhvilloi një duel në kohë reale me Gaz Bardhin në qarkun Dibër, këtë fundjavë. Të dy palët kanë folur për bashkim, por secila palë ka mbledhur të vetët. Të cilët që prej shtatorit 2022 janë tashmë grupe në terren që punojnë kundër njëri-tjetrit. Si Basha, ashtu edhe Bardhi, përdorin retorikën e bashkimit, në një terren të ndarë, madje edhe më të ashpër se ai në qendër. Shto këtu se qënia e njerëzve që militojnë në opozitë, pa asnjë shpërblim pushteti, irriton edhe më tepër terrenin, dhe e bën atë më fertile të lojrave apo lobimeve që më shumë se një skanim real të elektoratit, mashtrojnë në mënyrë virtuale forcën e tyre potenciale.

Situata është krejt tjetër ngase e japin dy palët. Lulzim Basha, ka pas vetes një strukturë të mbijetuar të PD-së nga sulmi i egër i foltores për të gjithë këtë kohë. Strukturë, e cila ka ruajtur një lloj rregullsie të bazës së PD-së, por me një veçanti. Të gjithë ose pjesa më e madhe e kësaj strukture, është anti-Berishë në kuptimin politik të fjalës, por më shumë është anti grupit të deputetëve që përfaqëson Gazment Bardhi. Anëtarët e seksioneve të PD-së në 61 bashkitë e vendit, që drejtohen nga kryetarët e degëve, jo vetëm që nuk i duan, por u kanë treguar vendin me kohë këtyre deputetëve.

Ky grupim politik, ka marrë një votë proporcionale në zgjedhjet e 14 majit 2023 që shkon pak më shumë se 100 mijë vota. Një numër i kufizuar, por që ka ardhur si pasojë e ndalimit të PD-së që të bëjë betejë për kryebashkiakët. Handikapi tjetër janë sondazhet që e nxjerrin PD-n e Bashës me shifrat e vjetra ku ka qëndruar ish-LSI-ja e Ilir Metës. Duke paraqitur si forcë të dytë Foltoren e Berishës, e cila ka brenda saj edhe zgjedhësit e Metës.
Ndërkaq, Foltorja si një realitet politik në territor është margjinal, mbledh rreth vetes të gjithë kundërshtarët e Bashës dhe të zgjedhurve të tij në bazë, të cilët në realitet nuk kanë asnjë fuqi në territor. Nga ana elektorale, ky formacion së bashku me PL e Ilir Metës, përsuan një fundosje politike spektakolare më 14 maj 2023.

Po kush mund të bashkohet dhe përse? Në realitet nuk kemi të bëjmë me dy parti, kemi të bëjmë me dy grupime që duan të rimarrin partinë që shkatërroi Sali Berisha por edhe opozita e gjatë.
Këto dy pjesë nuk mund të bashkohen asnjëherë me njëri-tjetrin, pasi kanë luftuar deri në asgjësim për disa vite. Për foltoren, siç e tregoi edhe 14 maji, beteja është shumë e vështirë, pasi edhe sikur të marrin me vete 4.5 përqindëshin e votuesve të PD-së së Bashës që nuk e marrin kurrë, ata mbeten sërish në margjina, e shumë shpejt do të shkojnë në një shkrirje alla karbit në ujë.

Kjo pjesë politike, edhe nëse merr jo Gaz Bardhin, por edhe figura krejt të reja, nuk do të arrijë kurrë të prekë elektoratin gri, ngase kanë Sali Berishën kryetar, që është realisht simboli politik i partisë. E këtë e japin edhe sondazhet që ngazëllejnë foltoristët.

Ndërkaq, Lulzim Basha, nëse kërkon bashkim, atë do të duhet ta kërkojë me ata njerëz që PD i ka larguar ndër vite, me zgjedhësit që e braktisën “Bashkimin për Fitore” më 14 maj 2023 dhe jo me strukturat e dobëta e pa rrënjë në bazë të Rithemelimit.

Por këtu sfida e Lulzim Bashës është më e madhe se më parë, madje më e madhe edhe kur mori vendimin e jetës; përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Të paraqesë para njerëzve, në fakt ta formojë njëherë, grupin që do të përfaqësojë PD-në në zgjedhjet e ardhshme. Madje e mira e të mirave, do të ishte që të nxjerrë në fushë edhe një ekip rezervë që mund të jetë skuadra për bashkitë në zgjedhjet e ardhshme.

Natyrisht së bashku me program, plan të qartë politik, ekonomik, e jo sofizma apo lëvizje dame për të treguar se janë në fushë. Lulzim Basha, nëse do të bëjë reformë zgjedhore, do të duhet ta bëjë vetëm me një faktor: Partinë Socialiste. E për këtë i duhet të dialogojë, konfrontojë e diskutojë papushim deri sa të arrijë një akord për një variant të pranuar. Ose, të mos bëjë asnjë akord, por të propozojë një referendum popullor për të rrëzuar systemin aktual. Me një pyetje të vetme: a jeni ju për të rrëzuar systemin aktual zgjedhor dhe për ta zëvendësuar me një sistem proporcional kombëtar? Këtu të bëjë betejën e jetës, e nëse kjo merr konsensus, qoftë edhe në sondazhe që mund t’i nxisë me mekanizmat e saj, e ka fituar betejën. Ka bashkuar zgjedhësit, duke lënë në bisht ata struktura që jo vetëm që nuk kanë ndërmend, por nuk do të bashkohen kurrë…