Grupi militant, Shteti Islamik (IS), ka marrë përgjegjësinë për bombardimin vdekjeprurës që shënjestroi talibanët të cilët po prisnin në radhë para një banke në jug të Afganistanit për të marrë pagat. Sulmi i së enjtes në një degë të New Kabul Bank në qytetin e Kandaharit la të vrarë tre persona dhe plagosi 12 të tjerë.

Të gjithë viktimat ishin persona që po prisnin në radhë për të marrë pagën, tha Inamullah Samangani, kreu i Departamentit qeveritar për informacione dhe kulturë në Kandahar.

Dega e IS-it, rivalit të madh të talibanëve, ka kryer sulme ndaj shkollave, spitaleve, xhamive dhe zonave shiite në mbarë Afganistanin.

IS-i tha në një deklaratë, që u publikua në agjencinë e tij të lajmeve Aamaq, se një sulmues vetëvrasës shpërtheu rripin e tij me eksplozivë në turmën e talibanëve në afërsi të një banke, të cilët po prisnin të merrnin rrogat e tyre.
Qyteti i Kandaharit është qendër shpirtërore dhe politike për sunduesit e Afganistanit, pasi lideri suprem i talibanëve, Hibatullah Akhundzada, jeton atje dhe vendimet e tij për çështje të mëdha zbatohen nga autoritetet në kryeqytetin afgan, Kabul.

Talibanët morën pushtetin në Afganistan më 2021 gjatë largimit kaotik të trupave amerikane dhe të NATO-s pas 20 vjetësh në këtë shtet. Pavarësisht premtimeve fillestare se do të kishin një qëndrim më të moderuar, talibanët gradualisht kanë rivendosur interpretimin e ashpër të Ligjit islamik të Sheriatit, siç kishin vepruar edhe gjatë sundimit paraprak në Afganistan nga viti 1996 deri më 2001.