Nga Frrok Çupi/

E ëmbël sa mjalti ku sulen grerëza. E hidhët sa mbyten nga epshi dhe ëmbëlsia të gjitha që sulen…

Çfarë po ngjet kështu?

Sapo u burgos i fundit mëkëmbës i shtetit dhe i fuqisë, zoti Goro në Himarë. Pak më parë u burgos kryetari tjetër që tha se ‘u zgjidh’, jo ‘zgjodh’ dhe tani po i rrotullohet kurmi nëpër burgje aq sa edhe ai vetë po tenton t’ i afrohet prapë helmit të Himarës.
Nuk ka kaluar shumë kohë kur ra në pranga edhe paraardhësi i tyre jetëgjatë, kryetari Bollano.

Ashtu si edhe vetë Himara ka ardhur duke u ngushtuar, me sa duket për t’u bërë sa më e vogël e për të mos lejuar fushë të gjerë për agresorët gjithfarësh që të mbyten në mjaltin e saj. ‘Sidomos pas vdekjes së Skënderbeut Himarë quhej gjithë krahina e Labërisë së sotme, domethënë duke nisur nga Radhima, në Lekël, në Butrinto”, shkruan Petro Marko. Himara i ka shoqet të rralla në gjithë Mesdheun për nga bukuria e për nga klima e saj. Kush nuk e do këtë bukuri dhe këtë mrekulli!?. Fat i mirë që deri më sot e kanë në dorë shqiptarët dhe me sa duket ky fat do t’u takojë përjetë shqiptarëve. Përderisa vetë Shqipëria dhe të zotët e saj tani janë ngjitur në lartësitë e shteteve europiane.

Jo veç ‘për luftë’, por para të gjithash për nga joshja e ‘bletës’, domethënë për nga urat që e lidhin çdo shqiptar të Himarës me vetë zemrën e Shqipërisë. Ata që u larguan, ata që nisën gjuhë tjetër, ata që morën detin për në Korfuz ose edhe për në Itali…, ata humbën lidhjen me atdheun e tyre, jo se gjetën veten diku tjetër. Aq ‘pragmatike’ ishte lëvizja e himarjotëve për të mbrojtur jetën e tyre dhe për të krijuar lidhje të forta për ardhmëninë, saqë himariotët u përqafuan me Vatikanin ku kërkuan ndihmë. Katolikë nuk ishin, kishin qenë por nuk ishin më; myslimanë të përtej malit kishin qenë në të vonë, por i drejtohen Vatikanit; ortodoksë ishin shkruar por i drejtoheshin Papës. Para 300 vjetësh u ngrit shkolla shqipe, por ‘kush e di’. Ka një mundësi që ngjason me kalanë e Rozafës në Veri të vendit. Edhe kryetarë të tjerë, me siguri do të burgosen. Sot Rozafa e Jugut po përjeton fenomenin që kush tradhëton natën vihet në pranga ditën. Këto vitet e fundit, Himarën po e ha deti. Në dy kuptime deti po sulet ta ‘marrë’ Himarën.

E para është se Himara u vu peng mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë në vitin 2009. Qeveria e ditës i dhuroi Greqisë disa kilometra katrorë det. Burime të nëndheshme dëshmojnë se qeveria shqiptare do të shpërblehej me pushtet. Greqia garantonte që ajo qeveri, tashmë e prezumuar si një ‘grup i strukturuar kriminal’ dhe me kryetarin e qeverisë në arrest, do të mbahej në pushtet edhe një mandat tjetër. Në ‘menynë’ e tradhtisë së Rozafës do të përfshiheshin falja për masakrën kundër postës kufitare të Shqipërisë në Peshkëpi, varrezat e ushtarëve të Luftës Italo- Greke në Përmet dhe lënia e bregdetit si ‘mall pa zot’. ‘Pengu’ mes dy qeverive u adaptua si model nga individët me pushtet; secili shtriu dorën për vete.

Në anën tjetër, Himara e detit është njëmijë herë më e lakmuar se ‘Himara e brendshme’. Historia është ajo që ishte, me heronj të mëdhenj të Labërisë të lavdëruar nga Greqis si ‘grekë’; por epoka e tanishme ‘e detit’ ka krijuar më shumë armiq që nuk mund të burgosen si kryetarët e Himarës. Armiku më i fundit ishte ishulli i Sazanit. Cila qe arsyeja që të njëjtët, ata që shitën detin dhe falën Peshkëpinë, të njëjtët u ngritën kundër projektit të ri turistik të Sazanit? Për të ‘shpëtuar’ Korfuzin mund të goditet Sazani. Ka shumë të alarmuar, sidomos shteti grek, që mund të sjellin Belerë të tjerë për Himarën.

Por mbi të gjitha, njeriu është njeri, në fund qenka patriot, nëse ndodh. Secili tenton të marrë pushtet edhe në Himarë me qëllim që të pasurohet për vete. Zyrtarët në Himarë do të kenë përjetë problemin e zhvillimit të saj: Sa më shumë e zhvilluar, aq më shumë mjalti i xeherosur ‘për vete’.