Të merresh me bujqësi është një sfidë që po tërheq gjithnjë e më tepër edhe të rinjtë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj publikoi sot historinë e Franc Bakallit, i cili ka vendosur ta ndërtojë të ardhmen duke punuar e investuar në biznesin familjar.

“Franci është një i ri që ka vendosur ta ndërtojë të ardhmen duke punuar e investuar në biznesin familjar, Fabrikën e Djathit “Butrinti” në fshatin Shkallë të Konispolit”, u shpreh Denaj

Vetë Franci shprehet se ka studiuar në Rumani për menaxhim biznese dhe është kthyer për të punuar në biznesin e tij familjar me qëllim që ta ngrinte atë. Ai u bën thirrje të rinjve të qëndrojnë në Shqipëri, pasi siç thotë ai, Shqipëria ka një të ardhme të ndritur.

“Dua të hap pikën time agroturistike, ku turistët të vijnë dhe të shërbehen me prodhimet bio të zonës”, thotë Franci.

Në vitet e fundit, qytetarët janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e bujqësisë, ndaj dhe sipërfaqet e mbjella ne sera, kanë njohur rritje të shpejtë.

Produktet që mbizotërojnë në prodhimin e serave janë domatja, kastraveci, speci etj, të cilat jo vetëm shiten ne tregun vendas, por edhe eksportohen, duke siguruar fitime edhe më të kënaqshme.