Një detaj i ri është shfaqur së fundmi lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt me porosi nga bashkëshorti i saj Naim Murseli nëntorin e vitit të kaluar.
Gazetari Enrik Mehmetaj i ftuar në emisionin “Breaking” me gazetarin Xhoi Malësia në Top News rrëfeu dëshminë e një efektivi të forcave speciale amerikane të cilit Naim Murseli i kishte kërkuar borxh një shumë prej 19 mijë eurosh. Mehmetaj tha se Murseli ishte në gjendje të dëshpëruar për shkak të nevojës për para pasi kishte shumë borxhe dhe ishte përpjekur të gjente zgjidhje tek efektivi Donnie Lowery të cilin e kishte takuar vetëm një herë në dasmën e vajzës së Donald Trump.
“Ishte një dëshmi interesante të cilën duhet ta marrë parasysh edhe policia. Naimi ishte një njeri shumë i dëshpëruar për shkak të borxheve të shumta që kishte marrë në njerëz të ndryshëm. Nuk donte të binte në sy për këtë lloj shume. Ishte një shumë prej 19 mijë eurosh. Duke qenë se ai e kishte njohur 2 vite më parë në dasmën e vajzës së Donald Trump. Pas kësaj njohje ishin takuar vetëm njëherë. Disa ditë para vrasjes kanë shkëmbyer disa mesazhe, nuk i ka rrfyer kurrë për arsyen pse i duhej kjo shumë. Kjo e kishte çuditur efektivin se ku e gjeti ai koefidencën për t’i kërkuar këtë shumë monetare”– tha Mehmetaj.
Më tej gazetari tha se një prej pistave që policia e Kosovës po heton lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt është dyshimi se Naim Murseli mund ta ketë porositur vrasjen e saj për shkak të shumës së madhe që përfitonte nga kompania e siguracionit të jetës në Suedi.
“Efektivi është shprehur i gatshëm të vijë ta japë këtë dëshmi. Në mesazhet që Naimi i ka dërguar, duket qartë një person i dëshpëruar që kërkon një shumë monetare. Dy rrugë janë ose i ka konsumuar të gjitha kërkesat, sepse sipas informacioneve të mia, kishte marrë shuma parash edhe tek njerëz të tjerë.
Nxitimi i tij e shtyn që të donte të realizonte në atë kohë, ndoshta sipas burimeve, fakti që ka pasur një siguracion tepër të lartë jete për viktimën, kjo është një ndër pistat kryesore që po hetohet. Pra që paratë të jenë ato që kanë çuar drejt këtij krimi tejet mizor”– theksoi gazetari.