Vera e kaluar solli një “eksod” të lojtarëve drejt Arabisë Saudite. Pagat e majme tunduan shumë futbollistë, mes tyre edhe Jordan Henderson. Mesfushori anglez e mbylli pas 12 vitesh me Liverpoolin, skuadër ku mbante shiritin e kapitenit. Dhe zgjodhi milionat e Al-Ettifaq. Henderson fitonte rreth 900 mijë dollarë në javë, por ai dhe familja e tij nuk arritën dot të përshtateshin me jetën në Arabinë Saudite.
Në janar u rikthye në Europë, duke firmosur me Ajaksin në Eredivisie. 33-vjeçari ka rigjetur buzëqeshjen në Holandë, teksa e cilëson gabim të madh transferimin në Arabi. “Liga saudite po zhvillohet dhe po rritet, por unë nuk u ndjeva mirë aty. Gabova që shkova atje. Në atë kohë e ndjeja se ishte vendimi i duhur, por nuk ishte i tillë. E pranoj, gabova.
Në jetë mund të cilësohen si pengje apo gabime zgjedhje të tilla, por janë gabime vetëm nëse nuk mëson prej tyre. Dhe unë mësova shumë gjëra nga aventura në Arabi.
Nuk kam asnjë fjalë të keqe për të thënë për askënd, atje lashë miq me të cilët do të komunikoj gjithmonë. Por, në fund nuk shkoi ashtu siç të gjithë donim. Gjithsesi, unë u ndava mirë me klubin. Tani jam i lumtur që jam pjesë e projektit të Ajaksit”, u shpreh mesfushori i kombëtares angleze (81 ndeshje+3 gola).