Nga Ylli Pata/
Nuk se ka ndryshuar gjë nga ajo që po quhet pakti mes mazhorancës dhe Rithemelimit për të ngritur 2 komisione hetimore, apo për të ngritur 2 nënkomisione për reformat.
Të cilët nga ana tjetër thjesht do t’i japin një mundësi protagonizmi Gaz Bardhit e të tijtë që të jenë protagonist në një PR një vjeçar deri në zgjedhje, për pak famë. Një lloj Big Brotheri politik, që ndikon në të ashtuquajturën bursë e deputetëve para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Një bursë, që mesa duket, parë nga ana e Rithemelimit apo Foltores, është herët për të qenë realisht e tillë. Pasi siç po e tregojnë edhe përplasja e fortë mes tyre, ku Ervin Saljanji apo Dashnor Sula, kanë dalë hapur kundër dyshes Bardhi Gjekmarkaj, tregon se gjërat nuk janë ashtu siç duken.
E nuk kanë si të jetë ndryshe, pasi në fund, kandidaturat për deputetë, do të duhet t’i certefikojë një parti që është legale, një parti që ka emër, një parti që ka organe, një parti që ka lider një parti që ka edhe vulë.
Por edhe një parti që mund të bëhet subjekt elektoral. Sot Rithemelimi, edhe pse ka shkuar e gjithë pjesa e mërzitur e Lulzim Bashës, që që më pas pendohet gjysma, nuk mund të bëhet subjekt elektoral. Siç ka ndodhur më 6 mars 2022 e më 14 maj 2023, kanë trokitur në derën e Ilir Metës për të kërkuar vulë borxh.
E kryetari i PL, e ka shprehur sipas zërave simpatinë e tij për Saljanjin si një kandidat adapt për kryeministër, çka ka sjellë inate, zili e përshtjellime. Që duken qartësisht edhe në ndryshimin e emocioneve në komentet e rrjeteve sociale.
Sepse, çdo draft apo nismë, e të ashtuquajtur Rikthemelimi është i varur nga Sali Berisha, i cili edhe nëse nuk ka mundësi që të ushtrojë funksionin, nuk do t’ja japë asnjëherë Gaz Bardhit regjencën, por Flamur Nokës. Po ç’rëndësi ka kjo në fund të fundit.
Sot, me këtë politikë që po shikojmë, apo edhe kemi parë xhanëm që prej largimit të pesëdhjetëshes nga Lulzim Basha, të gjithë këta duket se do të jenë kandidatë për deputetë në vitin 2025.
Ndërkaq, PD e Lulzim Bashës, ka bërë të ditur se nuk do të dalë para mbështetësve të saj dhe publikut me një ekip të politikës së vjetër. Po do të sjellë një skuadër të re, që së paku ka një lidhje më të ngushtë me territorin. E Basha, ka premtuar se do të bëhë publike në muajin mars, listën e kandidatëve të Partisë Demokratike.
Marsi ka hyrë në kulmin e tij, e Lul Basha është në sprovë për të bërë konkrete atë që ka premtuar. Nëse ndryshimin radikal të sistemit zgjedhor, ndoshta nuk e ka në dorë pa influencuar ndërkombëtarët që të ndryshojë gjithçka duke biindur mazhorancës, listën e kandidatëve të PD-së, e ka plotësisht në dorën e tij.
Madje me publikimin e emrave sa më shpejt, mund të sfumojë më shumë se 40 përqind të këtij debate bosh që po bëhet për të ashtuquajturat komisione apo nënkomisione.