Max Verstappen me Red Bullin e tij po dominon edhe këtë sezon në Formula 1. Në cirkuitin e Jeddah në Arabinë Saudite, Verstappen dominoi garën dhe fitoi edhe përballjen e dytë të sezonit të ri, duke lënë pas shokun e skuadrës Sergio Perez dhe Charles Leclerc të Ferrarit.

Verstappen u nis nga pozicioni i parë dhe holandezi nuk e pati të vështirë të linte 11 sekonda pas shokun e skuadrës, duke fituar sërish pas suksesit të garës së Bahrein një javë më parë. Kampioni në fuqi edhe këtë sezon po ‘vendos dorën’ te titulli i katërt dhe nëse vijon këtë formë, rivalët duket se nuk do kenë mundësi për ta kapur me pikë.

Fernando Alonso me Aston Martin u rendit në vendin e pestë, teksa surprizën në këtë garë e bëri Oliver Bearman me pozicionin e shtatë. 19-vjeçari i Ferrarit zëvendësoi Carlos Sainz që vuan nga problemet shëndetësore dhe la pas Lewis Hamilton në vendin e nëntë.

Zhgënjim për Mercedes që me Russell dhe Hamilton u pozicionuan në vendet gjashtë dhe nëntë. Tanimë Formula 1 do rikthehet më 25 mars në garën e Australisë në cirkuitin e Melbourne.

Renditja në Arabinë Saudite: