Suedia është gati të forcojë mbrojtjen e saj në ishullin vendimtar në Detin Baltik. Anëtari më i ri i NATO-s, së bashku me aleatët e tij, diskuton se si t’i kundërvihet më së miri Rusisë, e cila po militarizohet me shpejtësi, sipas kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson. Kristersson tha se forcimi i ishullit Gotland, të cilin ekspertët e mbrojtjes dhe zyrtarët ushtarakë e konsiderojnë vendndodhjen më të rëndësishme strategjike në Detin Baltik, do të jetë ndër çështjet kryesore për të diskutuar me partnerët e NATO-s. I referuar shpesh si aeroplanmbajtësja gjigante, ishulli që ndodhet midis Suedisë dhe Letonisë është përmendur vazhdimisht në televizionin rus si një objektiv i mundshëm në rast se Moska tenton të pushtojë vendet baltike.

“Kjo është një gjë e qartë që duhet diskutuar me aleatët tanë të rinj të NATO-s. Gotland ka qenë gjithmonë i rëndësishëm…”kjo do të jetë një nga shumë gjëra për të diskutuar”, iu përgjigj Kristersson nëse Stokholmi e njeh nevojën për të forcuar ishullin. Kryeministri pranoi se Suedia ka vetëm një prani “të vogël” ushtarake në Gotland, të cilën udhëheqës të tjerë të NATO-s nga rajonet e Veriut dhe Baltikut e përmendin rregullisht si një cenueshmëri kritike për aleancën.

“Ka mjaft gjëra për sa i përket mënyrës se si të vendosim burimet tona, ku të fokusohemi më shumë. Dhe padyshim që gjithçka që ka të bëjë me Detin Baltik është një kandidat kaq i qartë. Kjo vlen për sa i përket pranisë në Gotland, por edhe për sa i përket vëzhgimit, për sa i përket aftësive të nëndetëseve”, tha ai. Gotland është një ishull në Suedi që ndodhet në Detin Baltik. Është ishulli më i madh i vendit. Më 14 dhe 15 janar 2022, ushtria suedeze vendosi urgjentisht trupa në ishull për t’u marrë me përqendrimin e anijeve zbarkuese ruse pranë bregut të tij.
Suedia u bashkua zyrtarisht me Aleancën e Atlantikut të Veriut më 7 mars. Ajo u bë anëtari i 32-të i NATO-s.