Nga Alda Bardhyli/
Unë mbështillem rreth tij si errësira
Marr frymë në gojën e tij
dhe e bëj atë qenie të vërtetë…
Kur Erika Jong shkroi këto vargje që kërkojnë të përshkruajnë “burrin e pamundur” për shumë gra të letërsisë, bota e grave nuk ishte më ajo që Nathaniel Hawthorne përshkruan për Salemin e vitit 1857. Lëvizjet feministe duket sikur kishin përfunduar,dhe Jong e frymëzuar nga letërsia angleze e shekullit të XVIII, vazhdonte të besonte në atë dashurinë imagjinare, që ngjason aq bukur jo vetëm në librat e epokës viktoriane. Një amerikane e lirë, bionde që ia bënte më të lehtë komunikimin me burrat, Jong vazhdonte të ishte një grua e vetmuar. As ftesat për mbrëmjet letrare me çaj, as martesa e hershme me psikoanalistin Allan Jong, nuk e bënë atë, të gjente atë burrin e vërtetë që e kishte kërkuar herët përmes përfytyrimeve. Udhëtimi në kërkim të “burrit nën shtrat”, ashtu siç e quan ajo në një varg, “burrin e pamundur” do të kthehej më shumë në një udhëtim drejt lirisë, për të përshkruar konturet e një peizazhi shumë pak të përfolur në letërsinë e fillim shekullit të XIX siç është rëndësia e njohjes së gjinisë tjetër.
Ky kërkim i brendshëm, dhe njohja e psikoanalizës do ta çojë Jong drejt shkrimit të një prej romaneve më të mira të pas viteve 1970-të, që do ti jepte një përcaktim të ri seksualitetit. Duke e quajtur veten Izadora Uingu, ashtu siç quhet personazhi kryesor në librin “Frika e fluturimit”, Jong do të ndezte fantazinë e shumë njerëzve, dhe do të ngjallte debate mbi rëndësinë e zbulimit të vetvetes. Udhëtimi i saj drejt gjetjes së “burrit të pamundur” ishte udhëtimi i qindra femrave jo vetëm në historinë e letërsisë, por i çdo gruaje në kërkim të ëndrrës drejt burrit ideal. Me një titull që simbolizon frikën drejt flurimit apo hapësirave të reja, Jong paralajmëron mbi rëndësinë e udhëtimit drejt vetes. I botuar për herë të parë më vitin 1973 libri arriti të shiste mbi 20 milionë kopje, duke u bërë një ikonë e vërtetë kulturore.
Por çfarë kishte ky libër që fitoi kaq shumë lexues? Rrëfimet pa doreza për përvojat seksuale, apo ndjesitë e tilla, japin edhe sot përgjigje mbi fatin që libra që flasin për seksin kanë në librari, atë që “seksi shet”. Por ndryshe nga romanet pornografike, apo të shkruar zakonshëm, historia e këtij libri best seller, është dhe historia e një etape të rëndësishme në historinë e letërsisë amerikane. Jong u kërkoi femrave ta gjenin lirinë duke njohur më së miri veten, duke dhënë shembuj dhe të femrave që shkruan pamflete mbi feminizmin, që ikën nga kjo botë thellësisht të trishtuara. Simonë Dë Bovuar nuk bëri kurrë një lëvizje pa e vrarë mendjen se çfarë mendonte Sartri. Lilian Hellman do të jetë po aq burrë nga Dashiell Hamet, që e do atë siç do veten. Ana Ullfi e Doris Lessing nuk mund të bëjnë një çap, po të mos jenë të dashuruar, çka u ndodh rrallë. Gratë shkrimtare, piktore janë të tërhequra, skizofrence, të druajtura në jetën e tyre dhe të guximshme vetëm në artin e tyre. Emily Dikson , motrat Brontë, Virginia Wolf, Karson MkKaller, O’Konor, që rriste pallonj dhe jetonte me të ëmën. Silvia Plath e futi kokën e saj në furrën e mitit. Xhorxhia O’kife vetëm në shkretëtirë me sa duket e mbijetuar. Çfarë grupi! I ashpër, vetëvrasës, i çuditshëm. Ku janë femrat që duhet të na frymëzojnë? Safo për të cilën nuk dimë pothuajse asgjë.
“Unë përkulem /dhe venitem”, thotë ajo. E kështu bëjmë edhe ne. Pothuajse të gjitha gratë që admirojmë janë të pamartuara ose të vetëvrara. Drejt këtij fundi shkojnë të gjitha? Kështu kërkimi për burra të pamundur vazhdon. Ndoshta kërkimi ishte vërtet një ritual, në të cilin procesi më i rëndësishëm është fundi. Ndoshta nuk ka burrë fare, por thjesht një mirazh i sjellë në mëndje nga dëshira dhe boshësia jonë. Kur shkon të flesh i uritur ëndërron të hash. Ndoshta burri i pamundur nuk është asgjë më shumë se një spektër i prodhuar nga vetë ne. Ndoshta ai është si njeriu i bezdisshëm pa frikë, fantazma që gratë shpresojnë ta gjejnë nën shtretër apo dollapët e tyre. Ose ndoshta është më të vërtetë vdekja , dashnori i fundit.