Prokuroria në Shkup ka nisur një hetim mbi shitjen online të disa kartave me imazhin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Një javë pas publikimit të një artikulli hulumtues nga Radio Evropa e Lirë, ku publikoheshin detaje mbi një mekanizëm në internet, përmes të cilit dhjetëra maqedonas – kryesisht nga qyteti i Velesit – thuhej se përfitonin para nga qytetarët amerikanë, prokuroria doli me njoftimin se e nisjes së një hetimi mbi çështjen.
“Jemi duke monitoruar flukset financiare të parave. Është një çështje mjaft komplekse që përfshin një sërë veprimesh”, thuhet në deklaratën e saj, ku përmendet gjithashtu edhe mundësia e përfshirjes së ndihmës juridike ndërkombëtare.
Megjithatë, “ende nuk kemi arritur në atë fazë”, vazhdon njoftimi. Pas kërkimeve disa mujore, REL zbuloi një mashtrim online, pas të cilit qëndronin individë nga qyteti i vogël i Velesit në Maqedoninë e Veriut. Ata reklamonin produkte të rreme me imazhin e ish-presidentit amerikan, për të cilat pretendonin se do t`u sillnin miliona “patriotëve amerikanë” pasi Trump të rikthehet në pushtet. Por, në fakt, në shitje ishin produkte krejtësisht të pavlera, si karta, monedha, afishe e të tjera, thotë media e njohur.
REL arriti të hynte edhe në një grup të mbyllur në Telegram, përmes të cilit komunikonin “shitësit” maqedonas të kartave të rreme të debitit. Dy ditë pas publikimit të artikullit, përmbajtja e shumicës së këtyre kanaleve në Telegram u fshi. Një numër i madh qytetarësh të Maqedonisë së Veriut që shisnin karta apo monedha me imazhin e Trumpit, i tërhoqën produktet e tyre edhe nga platforma CopeCart, përmes së cilës bëhej shitja.