Viti 2028, kohë kur mbaron edhe mandati i tij si president, do të jetë i fundit në politikën aktive për Rexhep Taip Erdogan. Lideri turk që drejton vendin prej dy dekadash ka njoftuar në prag të zgjedhjeve lokale që do të zhvillohen në fund të Marsit, se ato do të jenë të fundit për të si drejtues i AKP.
Erdogan e ka theksuar vendimin e rëndësishëm të tij thuajse në çdo takim elektoral, duke e shoqëruar me premtimin për mbështetësit e AKP, se kjo forcë politike do të mbetet në pushtet edhe pasi ai të largohet nga detyra.
Deklarata e presidentit turk nuk është befasuese pasi sipas Kushtetutës, Erdogan nuk mund të kandidojë për një mandat tjetër.
Nisur nga kjo rrjeti gjerman i lajmeve RND dhe Deutche Welle në një analizë të publikuar së fundmi kanë arritur në përfundimin se pasuesi i Erdoganit në pushtet do të jetë një njeri i familjes.
Sipas tyre vizioni i Erdogan nuk e lejon tërheqjen përfundimtare, ndaj i përzgjedhuri i tij për të trashëguar partinë do të jetë dhëndri i familjes, Selcuk Bayraktar, president i kompanisë që operon në industrinë e mbrojtjes, “Baykar”.
“Vëzhguesit në Ankara janë të kujdesshëm kur trajtojnë çështjen nëse presidenti i Turqisë ka ndërmend ose jo të largohet. Erdogan sundon në një mënyrë autoritare dhe nuk do ta lërë në diskrecionin e partisë së tij që të zgjedhë pasardhësin, por do ta zgjedhë atë vetë”, shkruajnë mediat gjermane.
Bayraktar, i përfolur si pasardhësi i mundshëm është një prej dhëndurëve të Erdogan, që për shumë njerëz portretizon individin që po e ngjit Turqinë në listën e një kombi të teknologjisë së lartë.
Bayraktar është i popullarizuar. Ai ka tre milionë ndjekës në platformën X, ndërsa ka edhe formimin e nevojshëm islam, pasi “babai i tij ishte i besuar i liderit islamik dhe mentorit të Erdoganit, Necmetin Erbakan”. Përveç kësaj, Bayraktar nuk duket se e përjashton përfshirjen në politikën turke.
“Deri në vitin 2028, megjithatë, shumë mund të ndodhin. Ndoshta Erdogan do të kuptojë deri atëherë se vendi i tij ka ende nevojë për të. Dhe nëse ai rishikon ose thjesht injoron Kushtetutën, ai mund të kandidojë për një mandat tjetër”, përfundon RND.
Në analizë po ashtu theksohet se ka akuza të përsëritura për shkelje financiare nga Erdogan, si ato të raportuara së fundmi nga Ali Gesilda. “Erdogani duhet të ketë frikë se kur të humbasë imuniteti penal që ka si president, këto akuza do të hetohen. Prandaj është kaq e rëndësishme për të ai që do ta pasojë”, nënvizohet aty.