Mbajtja e agjërimit gjatë Ramazanit, konsiderohet nga mjekët si një formë diete që shërben edhe për pastrimin e trupit nga toksinat. Mjekja dhe nutricionistja Albana Daka tha se e rëndësishme është që ata që agjërojnë të marrin kaloritë dhe vlerat e duhura ushqimore, gjatë vakteve të lejuara. Ndërsa për teologun Dorian Demetja agjërimi është devotshmëri ndaj zotit dhe të tjerëve.
Nëse për besimtarët myslimanë agjërimi konsiderohet si ushqim për shpirtin, mjekët e konsiderojnë këtë ritual si një formë pastrimi për trupin.
“Padyshim që sa më shumë orë të rrimë pa konsumuar ushqim, kur i kemi plotësuar nevojat e organizmit gjatë orarit të lejuar, padyshim që organizmi në orarin e pushimit nga ushqimi pëson një farë detoksi, një pastrim të gjithë fabrikës së vetë në të cilën çon dhe përpunon ushqimin”, tha mjekja Albana Daka.
Të qëndruarit 12 deri në 18 orë pa konsumuar ushqim, sipas nutricionistëve i bën mirë organizmit, por është shumë e rëndësishme që njerëzit të marrin të gjitha kaloritë dhe të ushqehen shëndetshëm gjatë vakteve të lejuara.
Fasting (Dietat moderne) ashtu si edhe agjërimi duhet të ketë ushqim të shëndetshëm. Unë u them ndonjëherë pacientëve se mund të bësh fasting 16 deri në 18 orë, por nëse në ato 6 apo 8 orë ha sufllaq, sanduiçë dhe të gjitha ushqimet e procesuara, pije me gazë, patjetër që ky nuk është një regjim i shëndetshëm”, shprehet mjekja Albana Daka.
Muaji i Ramazani për besimtarët myslimanë është shumë i rëndësishëm, pasi agjëruesit jo vetëm që afrohen më shumë me Zotin, por edhe me njëri-tjetrin.
“Qëllimi i agjërimit është devotshmëria. Devotshmëria jo vetëm në afërsinë me Zotin, por edhe me njerëzit. Devotshmëria është si një tërësi e vetme, kur njeriu afrohet më shumë me adhurim me Zoti, por nga ana tjetër edhe me moralin e tij kundrejt njerëzve”, shprehet Dorian Demetja teolog, drejtor i kulturës në KMSH.
Gjatë muajit të Ramazanit shumica e agjëruesve shtojnë peshë, dhe sipas nutricionistëve kjo vjen nga sasia e shtuar e ushqimeve gjatë iftarëve në darkë.
“Shumica e njerëzve që mbajnë agjërimin gjatë orëve që lejohet dhe sidomos në vaktin e iftarit janë evente familjare apo shoqërie, sepse tavolinat janë si për festë, të ekzagjeruar me sasi ushqimi dhe kryesisht në brumëra, Mishra, dhe ëmbëlsirave. Duke qenë se ne ekspozohemi në sasi të madhe ushqimi dhe kalorive, agjëruesit dalin edhe me shtim të peshës”, thotë mjekja Albana Daka.
Të qëndruarit kaq gjatë pa konsumuar, nuk shihet aspak shqetësues për vetë agjëruesit.
“Agjërimin se shohim fare problem, na e lehtëson Allahu”.
Mjekët dhe nutricionistët bëjnë thirrje për të gjithë ata që kanë probleme shëndetësore me sëmundjet kronike si hipertensioni, probleme të zemrës, apo diabeti duhet të konsultohen me mjekun që i ndjek nëse është e lejueshme të agjërojnë.