Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka vlerëson nisjen e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për disa nisma përfshi edhe reformën zgjedhore.

Në një intervistë për RTSH-në, Ndoka edhe pse shprehet skeptik sa i takon vullnetit të Kryeministrit Edi Rama për dakordësi me opozitën, thotë se Rama i ka asaj një detyrim politik që duhet t’ia kthejë, sikundër janë koalicionet parazgjedhore.

“Të cilët për fatin e keq kur bëhet me një ndërhyrje arrogante në Kushtetutën e Shqipërisë, me një pakicë deputetësh të urdhëruar nga Lulzim Basha për Edi Ramën, disa mbetje që mbetën në Parlament dhe ai i shfrytëzoi duke prishur të gjitha rregullat e lojës”, tha Ndoka.

Sipas Ndokës, Lulzim Basha i cili me pazarët e fshehta i dhuroi në tavolinë Kryeministrit Rama, ndryshimet kushtetuese përmes votës së ligjevënësve që përfituan mandatet nga listat zëvendësuese pas djegies së mandateve të deputetëve, nuk duhet sot të konsiderohet, teksa flet për idetë që ka për reformën zgjedhore. Për të parën herë bie dakord me mazhorancën, që e anashkaloi në dialogun për këtë reformë.

“E shtrydhi Edi Rama. Thjesht e la në agoninë e tij, në gjumin e tij të thellë politik”, shtoi ai.

Nard Ndoka apelon për rregulla të barabarta loje, duke ndaluar sipas tij vendimet politike të padrejta të marra për Partinë Demokratike.

“Sistemi i drejtësisë duhet ta çlirojë Berishën, liderin e opozitës nga arresti politik dhe të rikthejnë logon e partisë më të madhe të opozitës”, tha Ndoka.

Ndoka tha se vlerëson nismat e grupit parlamentar demokrat në Kuvend sikundër takimet në terren, produkti i të cilave sipas tij kulmoi me protestën e 20 shkurtit.