Paulo Dybala, ashtu si Roma në drejtimin e De Rossi-it, po kalon momentin më të mirë këtë sezon, por për të trazuar pak ambientin kanë menduar mediat spanjolle. Sipas Sport, ylli argjentinas ka përfunduar në shënjestrën e Barcelonës. Kjo nuk është hera e parë që emri i Dybala-s lidhjet me një transferim të mundshëm tek ekipi blaugrana, edhe më herët Barcelona ka tentuar të josh Dybala-n. Këtë verë diskutimi mund të jetë ndryshe, më konkret, pasi Dynala ka një klauzolë largimi shumë të ulët, 12 milionë euro, një shifër që jo vetëm Barcelona, por shumë skuadra do ta paguanin me kënaqësi.
“Prioriteti i tij është të luajë në Spanjë, pavarësisht se ka disa oferta konkrete nga Premier League”, shkruan Sport. Jo vetëm Barcelona, gjithnjë sipas Sport, edhe Atletico Madrid ka shfaqur interesim për futbollistin e Romës. Sport shton se Deco, drejtori sportiv i Barcelonës, e ka vendosur Dybala-n në majën e listës së dëshirave për sezonin e ri.
Ky transferim do të ishte më i lehtë nëse Roma nuk siguron një vend në Champions League sezonin e ri, por më herët, duhet kuptuar se kush do të jetë trajneri i ri i Barçës, pasi Xavi e ka bërë të qartë që në fund të këtij sezoni do të largohet.