Një ndjekje si nëpër filma është regjistruar në Igumenicë për arrestimin e një shqiptari dhe një greku. Mësohet se dy trafikantët e drogës gjatë tentativës për tu arratisur nga policia janë përplasur me një mjet. Pas aksidentit është bërë i mundur arrestimi i tyre dhe gjetja e rreth 80 kilogram drogë, kanabis i përpunuar (çokollatë).
Sipas informacioneve, gjithçka ka nisur mesditën e së shtunës, kur policia në Igumenicë kanë bërë me shenjë për të kontrolluar një automjet që lëvizte në rrugën e vjetër Makrichora-Mazarakia. Drejtuesi i mjetit është larguar duke u vënë në ndjekje. Në brendësi të fshatit Mazarakia, drejtuesi i mjetit të dyshuar ka humbur kontrollin, ka përplasur një automjet të parkuar dhe ka ndalur.
Menjëherë pas kësaj, dy personat kanë tentuar të arratisen në këmbë, ku policia më pas ka vënë në pranga trafikantët. Brenda automjetit policia gjeti 4 thasë, në të cilat ndodheshin afërsisht 80 kilogramë kokainë të përpunuar. Dy të arrestuarit janë dërguar në Komisariatin e Policisë Thesproti, ndërsa makina, e cila i përket një të afërmi të grekut të arrestuar dhe droga janë konfiskuar. Hetimet paraprake po kryhen nga Prokuroria e Narkotikëve në Igumenicë, ndërsa dy të arrestuarit pritet të dërgohen në Prokurorinë e Thesprotisë.