Manchester City mposhti Newcastle me rezultatin 2-0 falë një dygolëshi të Bernardo Silvës duke siguruar një biletë për në gjysmëfinalen e FA Cup, kompeticion ku të besuarit e trajnerit Pep Guardiola janë kampionë në fuqi. Pas sfidës, tekniku spanjoll theksoi se lojtarët e tij luajnë për ta fituar sërish këtë trofe ndërsa shtoi se ata zhvilluan një ndeshje të madhe.

“Ishte një ndeshje e bukur, ne luajmë për ta fituar këtë kompeticion. Por, duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Të vraposh dhe luash ashtu siç bënë lojtarët e mi në këtë ndeshje është e jashtëzakonshme. Më duhet t’i uroj, më pëlqeu shumë ndeshja.

Ishim shumë të sigurt me topin në këmbë, Kovacic, Rodri dhe Bernardo Silva ishin perfekt. Rikthime nga dëmtimet? Luajmë gjithmonë çdo tre ditë dhe kemi nevojë për të gjithë. Kam nevojë që De Bruyne, Grealish dhe Haaland të jenë në më të mirën e tyre”, u shpreh Guardiola.