Serie A nis sërish në fundjavë, me Interin që kërkon të mbyllë sa më shpejt llogaritë me titullin, për të bërë ca llogari më vonë në aspektin ekonomik të klubit.
Presidenti Zhang miratoi rezultatet ekonomike për gjysmën e parë të sezonit 2023/24, me një fitim neto të konsoliduar prej 22.3 milionë euro. Krahasuar me humbjen prej 63.5 milionë më 31 dhjetor 2022, të ardhurat u rritën me 34.6%, e përkthyer në vlerë monetare 265.4 milionë euro, të ardhura nga operacionet e tregut, të drejtat televizive, blietat e ndeshjeve dhe sponsorët.
Tani, në frontin jashtë fushës, çështja në lidhje me të ardhmen korporative të Interit mbetet në tryezë. Nëse javët e fundit, dhënia e një kredie të re për Steven Zhang nga fondi Oaktree dukej më larg, sot “Il Sole 24 ore” shkruan se fondi i Amerikës së Veriut tani duket se do të rihapet për presidentin zikaltër.
Në fakt, gazeta ekonomike milaneze shpjegon këtë: “Kapitali privat do të ishte i gatshëm të rifinanconte dhe t’i jepte hapësirë për manovrim Zhang-ut, në këmbim të garancive të mëtejshme dhe perspektivës konkrete për të identifikuar një investitor të ri. Rifinancimi në këtë mënyrë do të ishte një mjet për t’i dhënë edhe më shumë kohë për finalizimin e negociatave me aksionerin e ri.
Përndryshe, pa mbërritjen e garancisë së kapitalit të ri, fondi amerikan do të kishte vendosur të zgjidhte zbatimin e pengut mbi kompaninë mëmë luksemburgase të Interit, që përballet me borxhin e Zhang prej 385 milionë eurosh (përfshirë interesat)”.