Albert Gudmundsson duket se do të jetë “molla e sherrit” në merkaton e ardhshme mes Juventusit dhe Interit.
Gara ka filluar që në këto momente teksa bardhezinjtë kanë nisur sondazhet e para për islandezin e Genoas. Ndërkohë, zikaltërit duke njohur interesin e torinezëve, por edhe të disa klubeve në Angli, synojnë t’i paraprijnë konkurrencës, teksa gëzojnë edhe një marrëdhënie të shëndetshme me kolegët në Genoas. Drejtuesit e Inter shpresojnë të përsërisin një operacion si në rastin e transferimit të Davide Frattesit, pra huazim që më pas kthehet në blerje të detyruar.
Inter është gati të marrë përsipër këtë investim dhe të shpenzojë diku te 30 milionë për lojtarin 26-vjeçar. Në ditët në vijim priten zhvillime të reja në aksin Milano-Genoa teksa zikaltërit nuk do të mjaftohen vetëm me Mehdi Taremin për sezonin e ardhshëm, por do të synojnë të “blindojnë” repartin ofensiv pasi sërish objektiv do të jetë triumfi në Serie A si dhe një rrugëtim i gjatë në Champions League.