Paolo Maldini mund të rikthehet në Serie A, por jo te Milani. Legjenda e kuqezinjve u shkarkua verën e kaluar nga posti i drejtorit teknik të “Djallit”.
Shumë është përfolur për një rikthim në “San Siro” nëse ndryshon presidenca dhe Milani shitet te sheikët arabë. Gjithsesi, pistë konkrete është Atalanta. Një klub që është rritur shumë në vitet e fundit. Skuadra është e fortë, prodhon futboll të bukur dhe garon rregullisht në kompeticionet europiane.
Në Bergamo duan të hedhin një tjetër hap të madh. Dhe kërkojnë Maldinin si njeriun e duhur për t’i dhënë vazhdimësi punës fantastike që është zhvilluar. Legjenda italiane do të merrej me merkaton dhe gjetjen e talenteve të rinj. Gjithsesi, Paolo Maldini është shprehur se punën e drejtuesit e ka nisur vetëm prej Milanit.
Dhe që e ka pothuajse të pamundur për të punuar diku tjetër. Por, tek Atalanta shpresojnë që ta bindin që të bëhet pjesë e tyre. Zikaltrit e Berat Gjimshitit janë kthyer prej kohësh në një nga skuadrat më argëtuese në Europë. Ku meritën kryesore e ka padyshim një mjeshtër në pankinë si Gian Piero Gasperini.