Prokuroria Tiranë nis hetimet për Veprën Penale ‘Dhunë në Familje’ pas denoncimit të shtetasit L.Z., verifikime edhe për publikimin e videos, provë materiale
Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal.
Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës.
Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale.

Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.
Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse.