Nga Mero Baze/
Për të mbuluar një dështim, nuk duhet të shpikësh një objektiv që të çon në një dështim më të madh, por një objekt që t’u rikthesh besimin mbështetësve të tu. Por me sa duket Berisha po vazhdon ta udhëheqë opozitën e tij nga dështimi në dështim.
Sapo u njoftua se SPAK po hetonte dhëndrin dhe atë për kapje shteti dhe korrupsion, shpalli revolucionin që do të përmbyste Edi Ramën dhe nuk do gjente qetësi Parlamenti, Surreli e pastaj gjithë Shqipëria, nga flakët e revolucionit të tij.
I torturoi gratë dhe burrat e tij, duke i poshtëruar dhe personalisht, duke futur sende të nxehta dhe të ftohta në Parlament, fshehur poshtë pantallonave e poshtë fustaneve, bëri gjeste të shëmtuara në Parlament, ndihmoi Edi Ramën të kalonte ligjet pa debat për 5 minuta dhe pastaj u zbyth, në shkëmbim të afrimit të Gazment Bardhit me deputetët pranë tij, të cilët i shitën pazarin e tyre me Edi Ramën si përfillje për Berishën.
Pra e bënë të ndjehej i përfillur.
Kështu revolucioni u shua, përbetimet për përmbysje ranë dhe deputetët e tij së paku kanë rastin të shkojnë në Kuvend si njerëz vetëm me rrobat e tyre, dhe jo me sende të fshehura poshtë tyre.
Tani duke parë që njerëzit janë zhgënjyer me patetizmat e tij revolucionare, në përpjekje për t’u ngritur prapë moralin, ka shpikur qeverinë teknike dhe rrëzimin e Ramës deri në fund të vitit.
Është një film i parë disa herë këto 11 vite të Edi Ramës në pushtet.
Natyrisht që jo vetëm që nuk ka asnjë mekanizëm në dorë të detyrojë Edi Ramën të bëjë qeveri teknike, por nuk ka dhe asnjë shans t’i imponohet atij për asgjë. I vetmi imponim ndaj Edi Ramës është imponimi fizik, ai që bënte në Parlament apo që mund ta bëjë në rrugë duke vrarë apo plagosur ndonjë njeri.
Imponim politik ndaj një kryeministri me shumicë të qëndrueshme dhe me një opozitë të përçarë nuk ke asnjë shans të prodhosh.
Dhe e gjithë kjo bëhet vetëm për të harruar dështimin e radhës, atë të zbythjes nga Parlamenti.
Se në fund të vitit Edi Rama do të jetë prape kryeministër, në zgjedhje do hyjë si kryeministër dhe pas zgjedhjeve do dalë përsëri si kryeministër.
Sali Berisha ka në dorë të bojkotojë zgjedhjet, dhe kjo natyrisht nuk shqetëson njeri.
E vetmja vlerë që ka mos hyrja në zgjedhje për të, është se nuk do kuptohet që ai s’merr dot as 20 për qind të votave.
Për gjë tjetër nuk vlen.
Opozita do të jetë në zgjedhje me grupimet e tjera dhe nuk ka më as shansin e vitit 2019 që e mbajti gjithë opozitën jashtë zgjedhjeve. Tani thjesht mund ta mbajë opozitën poshtë penxheres, por nuk i bën punë.
Ndaj nuk është e nevojshme që për të mbuluar dështimin e pare, të shpikë një dështim të dytë dhe më të madh. Se demokratët mendojnë se e kanë kryetar për t’i çuar “nga fitorja në fitore”, jo nga humbja në humbje.