Humbjet ndaj Kilit dhe Suedisë duket se ulën me këmbë në tokë kombëtaren shqiptare. Disfata në miqësore për skuadrën e teknikut Sylvinho, që e dërgon në 3 tashmë numrin e humbjeve në pankinën e kuqezinjve. Si për ironi të fatit, të treja janë pësuar në muajin mars, për t’iu shtuar bilancit prej 5 fitoresh dhe 3 barazimesh.
Por pavarësisht dy humbjeve, braziliani dhe stafi teknik i kuqezinjve mori sinjale pozitive nga futbollistët. Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Enea Mihaj dhe Kristjan Asllani luajtën minuta të plota në të dy takimet, për të qenë më të përdorurit nga Sylvinho. Praktikisht futbollistë të cilët pritet të jenë pjesë e rëndësishme e kombëtares sonë edhe në kampionatin Europian të kësaj vere.
Alternim në repartin e sulmit, me Manaj që luajti për 68 minuta ndaj Kilit, vendin e të cilit e mori Broja, duke fituar edhe fanellën e titullarit në sfidën ndaj Suedisë. 22-vjeçari dhuroi një performancë të mirë në 76 minutat kundër nordikëve, duke fituar simpatinë e stafit teknik për të qenë edhe më pranë ftesës në Euro2024.
Në total, Sylvinho eksperimentoi 19 futbollistë, pasi minuta nuk rezervoi për lojtarë si Naser Aliji, Elhan Kastrati, Marash Kumbulla, Jon Mersinaj, Alen Sherri dhe Federik Veseli. Testet e radhës për Shqipërinë do të jenë në muajin Qershor ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit, sfida që pritet t’i japin edhe konsolidimin grupit që do të shkojë më pas në Euro 2024.
Minuta të plota:
Thomas Strakosha
Mario Mitaj
Berat Gjimshiti
Enea Mihaj
Kristjan Asllani
Të pa aktivizuar:
Naser Aliji
Elhan Kastrati
Marash Kumbulla
Jon Mersinaj
Alen Sherri
Federik Veseli