Nëse një shtet të dështuar e matim nga të krisurat në ndërtesën e pushtetit të tij, të reflektuara në luftëra civile ideologjike, asamble të bllokuara dhe hapësira publike gjithnjë e më të pasigurta, duhet të pranojmë se Shtetet e Bashkuara nuk janë aq ndryshe nga Haiti. Të dy vendet kanë prodhuar banda të dhunshme me ambicie politike.

Nga Slavoj Zizek/

Siç po shkojnë gjërat në Haiti, bandat e dhunshme mund të fitojnë jo vetëm një rol zyrtar në qeveri, por mund të bëhen realisht edhe vetë qeveria. Pas kapjes së infrastrukturës kritike nga bandat dhe dorëheqjes së kryeministrit Ariel Henry, Haiti po shfaq të gjitha tiparet e njohura të një shteti të dështuar. Popullit të tij i mbetet një zgjedhje tragjike: vazhdimi i sundimit nga një elitë e korruptuar “demokratike” ose qeverisja e drejtpërdrejtë nga bandat që e paraqesin veten si “progresive”.

Me rënien e ligjit dhe rendit, CARICOM, organizata ndërqeveritare rajonale e Karaibeve, ka njoftuar një marrëveshje për të krijuar një këshill tranzicioni që synon të përfaqësojë një pjesë të gjerë të grupimeve politike dhe të shoqërisë civile të Haitit. Këshilli do të kishte disa kompetenca që zakonisht i përkasin zyrës (bosh) të presidentit, duke përfshirë fuqinë për të emëruar një kryeministër të përkohshëm. Qeveria që do të vinte pas kësaj do të pritej që përfundimisht të zhvillonte zgjedhje, duke arritur kështu një rivendosje të plotë dhe të re politike.

Por kë do të përfshijnë këto marrëveshje të reja? Haiti ka qenë nën një gjendje të jashtëzakonshme që kur grupet e armatosura sulmuan burgun më të madh të vendit në fillim të këtij muaji, duke vrarë dhe plagosur policë dhe anëtarë nga stafi i burgut dhe duke lejuar afro 4,000 të burgosur të arratiseshin. Kreu i bandës Jimmy “Barbecue” Chérizier – vetë një ish-oficer policie – mori meritën për sulmin dhe bëri thirrje që qeveria të rrëzohej. Bandat tani kontrollojnë 80% të kryeqytetit të Haitit, Port-au-Prince, pasi kanë marrë aeroportin kryesor të vendit për të bllokuar kthimin e Henrit nga një mision diplomatik në Kenia, ku ai shpresonte të siguronte përforcime policore.

Marrëveshja CARICOM ndalon këdo që ka pasur dënime ose që ka qenë më parë i sanksionuar, duke e skualifikuar kështu Chérizier. Por Chérizier ka qenë prej kohësh i njohur për aspiratat politike. Ai nuk është vetëm një udhëheqës bande, por edhe një politikan populist, duke i thënë një intervistuesi në vitin 2019: “Unë s’do të masakroja kurrë njerëz në të njëjtën klasë shoqërore si unë”. Në fillim të këtij muaji, ai tha: “Ne nuk do t’i gënjejmë njerëzit duke thënë se kemi një revolucion paqësor. Nuk kemi një revolucion paqësor. Po fillojmë një revolucion të përgjakshëm në vend.”

Chérizier e ka krahasuar veten me Martin Luther King, Jr., Malcolm X, Che Guevara, Fidel Castro dhe madje edhe Robin Hood-in. Por ai gjithashtu admiron François “Papa Doc” Duvalier, diktatorin e krahut të djathtë që sundoi Haitin me grusht të hekurt nga 1957 deri në 1971 (dhe që terrorizoi gjithashtu shoqërinë haitiane me grupe të armatosura paraushtarake, të udhëhequr nga famëkeqi Tonton Macoutes).

Në një paralajmërim të bërë vonë natën e 11 marsit, Chérizier njoftoi se aleanca e bandave të njohura si Viv Ansanm nuk do të njihte asnjë qeveri që vjen nga marrëveshja CARICOM, duke argumentuar se, “I takon popullit të Haitit të përcaktojë personalitetet që do të udhëheqin vendin.” Në mënyrë të ngjashme, një këshilltar i Guy Philippe, një udhëheqës rebel nga Haiti i cili kohët e fundit u kthye në vend, paralajmëron se Port-au-Prince do të digjet i gjithë, nëse qeveria e ardhshme nuk përfshin Philippe.

Historia e Haitit është një tragjedi e gjatë. Për më shumë se 200 vjet, ai është dënuar për rebelimin e suksesshëm të skllevërve (nisur në 1791) që e lejoi atë të shfaqej si republika e parë me ngjyrë në botë. I detyruar t’i paguante dëmshpërblime Francës, i vetmi shans që vendi kishte për të ecur përpara ishte kur Jean-Bertrand Aristide dhe partia e tij Lavalas morën pushtetin disa dekada më parë. Por Aristide, një gjemb në këmbë për Amerikën, u rrëzua në një grusht shteti në shkurt 2004.

Haiti është një rast ekstrem i një fenomeni më të gjerë. Bandat e dhunshme kanë pushtuar gjithashtu pjesë të qyteteve në Ekuador dhe Meksikë; dhe, sigurisht, një bandë përkrahësish të presidentit amerikan në largim, Donald Trump, sulmuan Kapitolin në Uashington më 6 janar 2021. Trump tani premton se një nga veprimet e tij të para zyrtare, nëse rizgjidhet, do të jetë falja e të gjithë atyre që janë dënuar për pjesëmarrje në atë sulm.

Më e forta nga bandat që organizuan kryengritjen e 6 janarit janë Proud Boys (Djemtë Krenarë), një organizatë neofashiste kryesisht mashkullore që promovon dhe angazhohet hapur në dhunë politike. Kujtojmë se kur u pyet për thirrjen e tij ndaj grupeve supremaciste të bardhë dhe paraushtarake në një debat presidencial në vitin 2020, Trump u përgjigj: “Djem krenarë, bëni pas dhe rrini e shikoni.” Drejtuesit e grupit që atëherë janë dënuar për nxitje kryengritjeje e dhe krime të tjera kundër Shteteve të Bashkuara për përpjekjen e tyre për të bllokuar transferimin e përcaktuar me kushtetutë të pushtetit presidencial.

Është interesante të theksojmë se Proud Boys ushtrojnë brutalitet fizik, , si p.sh. goditjen me grusht, nëse nuk u përgjigjeni saktë pyetjeve në lidhje me kulturën pop dhe anëtarët “s’duhet të përfshihen në pornografi”. Sado të çuditshme të tingëllojnë këto rituale, ato janë mekanizma të njohur. Ritualet vëllazërore luajnë rolin e poezisë, siç përshkruhet nga Ernst Jünger, i cili, ashtu si Proud Boys, festonte efektin pastrues të luftës ushtarake: “Çdo luftë për pushtet paraprihet nga një verifikim imazhesh dhe ikonoklasti. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për poetë – ata nisin përmbysjen, madje edhe atë të titanëve.”

Shtetet e dështuara nuk janë më të kufizuara në disa skaje të Jugut Global. Nëse e matim dështimin e një shteti me të krisurat në ndërtesën e pushtetit të tij – pra, me provën e shpërthimit të luftërave civile ideologjike, asambleve të bllokuara dhe hapësirave publike gjithnjë e më të pasigurta – duhet të pranojmë se Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja janë qartazi në spektër. Teoricieni politik norvegjez Jon Elster kishte të drejtë, në vitin 2020, kur shkroi: “Mund ta kthejmë thënien e zakonshme se demokracia është nën kërcënim dhe të pohojmë se demokracia është kërcënimi, të paktën në formën e saj populiste afatshkurtër.” Përvoja e fundit ofron sinjale të qarta se çfarë do të ndodhë nëse Trump fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Dikush mund të perifrazojë në mënyrë të përshtatshme një shaka të vjetër nga Gjermania Lindore: Vladimir Putin, Xi Jinping dhe Trump takojnë Zotin dhe u lejohet të bëjnë secili vetëm nga një pyetje. Putin fillon: “Më thuaj, çfarë do të ndodhë me Rusinë në dekadat e ardhshme?” Zoti përgjigjet: “Rusia, gradualisht, do të bëhet një koloni e Kinës.” Putini kthehet dhe fillon të qajë. Xi bën të njëjtën pyetje për Kinën. Zoti përgjigjet: “Me fundin e mrekullisë ekonomike kineze, do t’ju duhet t’i ktheheni një diktature të ashpër në mënyrë që të mund të mbijetoni, ndërsa kërkoni ndihmë nga Tajvani.” Xi kthehet dhe fillon të qajë. Dhe në fund, e pyet Trump-i: “Dhe cili do të jetë fati i SHBA-së pasi unë të marr sërish pushtetin?” Zoti kthehet në anën tjetër dhe fillon të qajë.