Nga Jakin Marena/

Lulzim Basha, si kreu i PD zyrtare ka zbritur për herë të parë në fushën e betejës politikë për të rifikuar terrenin e humbur brenda demokratëve dhe së djathtës për gati dy vite me radhë. Këtë të mërkurë, Basha dhe PD kanë organizuar një tryezë të zgjeruar dialogu nën siglën “Harku opozitar Euroatlantik”, në të cilën është diskutuar riorganizimi i PD dhe të djathtës opozitare në tërësi, përballë emergjecës së madhe sipas tij dhe diskutantëve për të qënë të përgatitur vetëm një vit para zgjedhjeve parlamentare të 2025 që me një alternativë të djathtë të synojnë ndryshimin e skenës politike dhe maksimalizimin e votës. Që në krye të herës përmes siglës së paraqitur në këtë tryeze dialogu, është dhënë mesazhi se bëhet fjalë për një bashkim të të gjithë spektrit opozitar të djathtë, në një grupim solid dhe të gatshëm për të startuar përgatitjet për ndryshimet ligjore e kushtetuese dhe përballjen në një garë elektorale si të barabartë mes barabartëve. Të paktën sigla këtë thoshte. Nuk ka asnjë të keqe në këtë nismë. Madje shumëkush, edhe kundërshtarët e PD, kanë dëshiruar me kohë që Bashës t’i ‘vijë goja’, të flasë dhe të lërë për një moment takimet në organizatat e partisë që drejton, pjesës që drejton të kuptohemi, për të zbritur në terrenin e politikës së madhe, pikërisht aty ku jepen mesazhe.

Ndërkohë që nëse sheh pjesën e dytë të siglës së tryezës së dialogut ‘…Euroatlantik’, kuptohet fare qartë se në këtë formacion të djathtë, të bashkuar sipas të gjithë pjesëmarrësve në tryezë, është i përjashtuar definitivisht Sali Berisha dhe ithtarët e tij që e mbështesin tek Foltorja. E themi se është përjashtuar, për arsyen e vetme se Berisha dihet me kohë e me vakt se nuk ka asnjë komunikim, përkundrazi i ka vënë nën sulmet e tij dhe të ithtarëve, strukturat euroatlantike, përderisa kryesuesit e këtyre strukturave, janë dhe ‘armiqtë’ e tij. Bëhet fjalë për SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE, ku dy të parat e kanë shpallur Berishën ‘non grata’ për korrupsion madhor, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë dhe lidhje me krimin, ndërsa Brukseli e trajton si ‘non grata’. Madje dhe vendet e rajonit, përfshirë Kosovën.

Partnerët tanë ndërkombëtarë nuk e njohin Berishën si faktor relevant politik opozitar në vend, pavarësisht se përmes dakordësisë së sforcuar nga Bardhi me grupin parlamentar të PS, u arrit që të merrej konferma për ngritjen e dy komisioneve hetimore nga 8 të kërkuara prej Berishës, si dhe u qetësua situata në oparlament, në asnnë cep të deklaratave të liderit të mazhorancës apo dhe të krerëve të strukturave të PS nuk është përmendur fjala ‘marrëveshje me Berishën non grata’, jo më ta njohin atë si lider të opozitës. Ndërsa ndërkombëtarët mbështeten dialogun parlamentar, që solli dhe paqen në seancat parlamentare. Me një fjalë mazhoranca e ngopi Berishën dhe Foltoren me ‘lugën bosh’ pa i dhënë asgjë, pa lëvizur nga qëndrimet e saj të mëhershme për komisionet hetimore që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit, kanë të bëjnë me saktësimin e objektit të hetimit dhe me zbatimin rigoroz të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë qëllim. Ndërkohë që nuk bëhet fjalë për shkatërrimin e reformës zgjedhore dhe mbi të gjitha nuk kanë të bëjnë me prekjen e reformës në drejtësi.

Por meqë Berisha për hallin që e ka zënë me drejtësinë, është nën arrest shtëpiak për korrupsion pasiv si dhe po hapen njëra pas tjetrës dosjet e rënda për hetimin e zullumeve të tij, ka një grupim politik ku çfarë e thotë njëri nuk e thotë tjetri, kishte nevojë që të mbyllte ‘revolucionin’ e tij imagjinar te rrugica para pallatit të tij, lëvizje që nuk kishte asnjë ‘dritë në fund të tunelit’, dhe iu ‘dorëzua’ kësaj dakordësie për një marrëveshje që nuk është e shkruar askund, për ta mbyllur rrugën e pashpresë të dhunës në Kuvend. Donte një pretekst Berisha për t’u tërhequr nga ‘revolucioni’ i pashpresë dhe për ta shitur para kundërshtarëve të tij brenda demokratëve si një ‘njohje zyrtare’ nga Edi Rama. Kishte nevojë e thënë për hir të së vërtetës për një ‘ngopje me lugë bosh’, anipse kjo dakordësi pa asnjë përfitim nga vetë Berisha e Foltorja në fund të herës, përfitim për pretendimet absurde 5 mujore të tij, bëri që të fuste ‘zjarrin’ brenda grupimit të tij politik, e shprehur kjo dhe në pafuqinë e vetë Berishës për t’i mbajtur nën kontroll. Sa nga pafuqia si një njeri në moshë të thyer, aq dhe nga izolimi në pallatin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, ku është izoluar me kërkesë të SPAK nën arrestin shtëpiak.

Por që të kthehemi te tryeza e së mërkurës e dialogut të të djathtëve nën okelion “Harku opozitar Eurotlantik”, ajo që mund të themi është se që në emërtesë e kanë goditur Berishën, për të treguar te demokratët dhe të djathtët poshtë, me parti apo pa parti, se kanë vokacion perëndimor si grupim që është në fillesat e tij, dhe mbi të gjitha në përbërje të tij nuk është lideri anti-SHBA, anti-Britani dhe anti-BE Sali Berisha dhe mbështetësit e tij. Pra dalin me mesazhin se janë një shpresë për popullin opozitar, përballë një të pashpresi si Berisha, grupimi opozitar i të cilit dihet se nuk vjen në pushtet pa mbështetjen e partnerëve. Ka qënë në jetë të jetëve për Shqipërinë, si një vend i vogël që jemi. Dhe kufijtë të mëdhenjtë na i caktuan. Elementi tjetër dallues ishte përbërja e kësaj tryeze. Madje në krye të tryezës si moderator i saj ishte as më pak dhe as më shumë por ish presidenti i Republikës Bamir Topi. I cili për postin e fundit shtetëror që ka mbajtur, votat në Parlament i ka marrë nga PD. Kishte mbështetje, deri në momentin kur Berisha vrau para kryeministrisë në mes të bulevardit me plumbat e Gardës së Republikës më 21 janar 2011, katër demonstrues të opozitës së atëhershme.

Dhe Berisha, në përpjekje për të shpëtuar nga ‘dara’ ku ishte mbërthyer pasi i shkuan ‘dëm’ të gjithë ‘fishekët’ e mashtrimit për ta transferuar krimin herë tek radhët e opozitës sikur vranë njëri tjetrin, herë tek forca të tjera madhore, në fund gjeti ‘karar’ për ta quajtur “puç’ për rrëzimin e tij nga posti i kryeministrit, dhe në krye të këtij ‘puçi’ nuk e zgjati shumë po ‘emëroi’ vetë Presidentin Bamir Topi. Futi dhe gazetarë dhe kuptohet pa lënë jashtë Edi Ramën. Të cilin e ‘vrojtonte’ nga tarraca me ‘5 snajperë të gatshëm ta qëllonin në kokë nëse bënte një hap para drejt godinës së kryeministrisë’. E ka thënë vetë një fakt të tillë Berisha, madje jo njëherë por disa herë në mediat qëndrore në vend dhe besojmë që dhe SPAK e ka mbajtur ‘shënim’ për ta pasur në dosje kur të fillojë më me intensitet rihetimi i dosjes së rëndë të 21 janarit, sipas vendimit të gjykatës së Strasburgut që e cilëson krim shtetëror dhe hetimi duhej të ngjitej në krye të zinxhirit komandues. Pra tek Berisha. Pas 21 janarit 2011 Berisha u armiqësua përfundimisht me Bamir Topin, e quajti ‘horr bulevardi’, marrëdhënie që nuk janë përtërirë më. Kujtojmë që Topi ka qënë nënkryetar i PD dhe më herët kryetar i PD të Tiranës, ministër i Bujqësisë dhe në të gjitha herët ka marrë gjithnjë votat maksimale në zonën ku ka kandiduar për deputet. Por dhe ka një mbështetje të gjërë në kryeqytet, e treguar në zgjedhje në krye të partisë së re që drejtonte, Fryma e Re Demokratike.

Topi foli për riorganizimin e PD dhe opozitës, ndonëse preferoi të shprehej se vinte në këtë tryezë jo domosdoshmërisht si anëtar i një partie politike. Por ama nuk ka lënë pa theksuar ngjarje të rënda që sipas tij që kanë ndikuar në skenën politike shqiptare duke filluar që nga ndryshimi i Kushtetutës në vitin 2008, vijuar me shpërthimin tragjik të Gërdecit dhe ngjarjeve të tjera që kanë shenjuar jetën politike të vendit dhe rrënuar imazhin e PD. Por ish presidenti Topi ka lënë për të kuptuar se angazhimi në të ardhmen në funksion të mbështetjes së PD, ndoshta duke marrë pjesë në strukturat drejtuese të saj, duke treguar qartë se radhët e PD zyrtare po zgjerohen me figura tipike të djathta dhe që kanë peshë në elektorat. Në funksion të këtij formacioni në ngritje të djathtë ishte dhe pjesëmarrja e Spartak Ngjelës një ish funksionari të lartë të PD, që ka treguar se kur angazhohet merr vota dhe ka ide se si mund të operohet për instalimin e vokacionit të djathtë te PD. Ngjela ka qënë më i drejtëpërdrejtë, teksa ka deklaruar se përballë kanë komunistët të përfaqësuar nga Sali Berisha.

Teksa ka evidentuar nevojën e bashkimit të të djathtëve, Ngjela ka nënvizuar faktin se duhet të ketë për këtë qëllim një program të qartë, që të përmbledhë të gjitha idetë për një të djathtë solide e të gatshme për t’u përballur, dhe duke nënvizuar se PD është e vetmja shpresë në Shqipëri. Fundja Ngjela e ka deklaruar kohë më parë se kur të kthehet do të ketë aleancë vetëm me Bashën. Por nga ana tjetër në këtë tryezë ishin dhe figura të tjera të së djathtës, duke filluar nga ish ministri e ish deputeti Rexhep Uka e deri tek përfaqësues të tjerë të partive opozitare të krahut të djathtë. Dhe duke qënë se tashmë ideja e bashkimit të frontit të djathtë opozitar, në qendër të së cilit është PD zyrtare e drejtuar nga Basha është nga e mërkura një realitet i prekshëm, nuk përjashtohet mundësia që drejt saj të afrohet dhe LZHK e Dashamir Shehit, i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë aleancë me Berishën dhe Foltoren. Por dhe e e partive të tjera me sfond opozitar, të cilat nuk kanë shpresë tek një Berishë i perënduar politikisht, apo që kanë qënë dhe janë kundër nismave të tij, dhe mënyra se si e trajton Foltoren dhe aleatët tanë perëndimorë.

Në fund të herës ajo që mund të themi se ky bashkim që ka nisur tek e djathta, përmes PD së Bashës dhe me afrimin e Topit, Ngjelës, Ukës dhe politikanëve të tjerë të partive të djathta, pritet të fusë në ‘cep të ringut’ politi Berishën dhe grupimin që drejton. Pasi Foltorja nuk është as parti politike në sensin juridik të fjalës, pavarësisht mbështetjes në rënie që ka tek demokratët deri më tani. E themi këtë sepse sa herë që të ketë zgjedhje Berisha do të jetë i detyruar të drejtohet tek Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë për të regjistruar kandidatët e vet. Njëherësh mund të ngjallë shpresat tek të djathtët dalja e aleancës së djathtë, që nën shembullin e Topit, Ngjelës dhe politikanëve të tjerë historikisht të djathtë, që të atashohen tek një koalicion i zgjeruar opozitar i cili është zyrtar sëpaku dhe mbi të gjitha është pro SHBA, BE dhe Britanisë. Madje mund të tërheqë dhe në grupime të tjera si dhe demokratët e thjeshtë e pashpresë. Një zhvendosje kjo që nxitet dhe nga situata që lëviz me ditë dhe orë, për shkak të intensifikimit të hetimeve nga ana e SPAK të dosjeve të rënda, ‘ranglistën’ e të cilave e kryeson Berisha dhe familjarët e tij. Imagjino çfarë ndodh në harkun kohor të një viti, deri në zgjedhjet e vitit 2025, teksa demokratët dhe opozitarët nuk janë të sigurtë nëse Berisha do jetë nën arrest në shtëpi apo në qeli. Ndaj nuk kanë më besim.

Në fund të herës është dhe ana aritmetike. Dihet se Topi ka mbështetje të fortë sidomos në Tiranë, por dhe në disa zona të tjera të vendit. Po kështu dhe Ngjela dhe liderë të tjerë të partive opozitare që janë kundër Berishës. Për më tepër që nën siglën e PD shumëfishohen votat, duke e zhytur në humbje akoma më të thellë Berishën. I cili pritet që në zgjedhjet e vitit 2025 të garojë nën siglën e Metës, që kryeson një parti të majtë. Dhe kjoka ndikimin e vet në braktisjen e tij, pa përjashtuar faktin se Meta i merr dhe gjysmën e deputetëve, në këmbim të garës në siglën e PL. Por të kuptohemi, as krijimi i kësaj aleance të djathtë nuk i shumëfishon votat për të mundur Edi Ramën e për të ardhur në pushtet. Nuk bëhet fjalë. Por së paku ndalon ‘rënien e lirë’ të opozitës, në rastin më të mirë të mundshëm. Por dhe nxjerr përfundimisht Berishën dhe mbështetësit e tij nga ‘loja’. Përfshirë dhe Bardhin e mbështetësit e tij, që për një mandat deputeti dhe pak shpresë për të pasuar Berishën në krye të Foltores ‘gëlltitën’ ato që kishin thënë kundër Berishës dhe hynë nën ‘hyqmin’ e tij. Sapo ka nisur përballja brenda opozitës.