Shtetet e Bashkuara e përshëndetën formimin e Qeverisë së re palestineze, dhe pohuan se e shohin përbërjen e ndryshuar të kabinetit si një hap drejt reformës politike palestineze, e cila megjithatë sipas tyre duhet thelluar. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, bëri thirrje për “rigjallërimin” e Autoritetit Palestinez, me seli në Bregun e pushtuar Perëndimor, me shpresën se pas përfundimit të luftës mes Hamasit dhe Izraelit, do të jetë kjo qeveri ajo që do të marrë frerët e drejtimit në Rripin e Gazës të administruar aktualisht nga grupi islamik i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Europian.

Përmes një deklarate, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mattheë Miller, tha se SHBA-ja mirëpret bashkëpunimin me grupin e ri të ministrave “për kryerjen e reformave të besueshme”. “Një Autoritet Palestinez i rigjallëruar në esencë do të sillte rezultate për popullin palestinez si në Bregun Perëndimor ashtu edhe në Gazë dhe do të vendoste kushtet për stabilitet në rajonin më të gjerë”, tha Miller. Autoriteti Palestinez aktualisht drejton disa pjesë të Bregut të pushtuar Perëndimor nga Izraeli.

Ai udhëhiqet nga presidenti Mahmoud Abbas, që nuk është përballur me zgjedhje në pothuajse dy dekada. SHBA-ja e sheh Autoritetin Palestinez si pjesë kyçe e planeve të saj për Gazën e pasluftës. Megjithatë fakti është që ky organizëm ka pak mbështetje popullore apo legjitimitet në mesin e palestinezëve, dhe shumë prej tyre e shohin si nënkontraktor të pushtimit për shkak të bashkëpunimit të sigurisë me Izraelin në Bregun Perëndimor. Këtë muaj, Abbas emëroi Mohammad Mustafa, ekonomist i shkolluar në SHBA, në postin e kryeministrit dhe përpara disa ditësh, ky i fundit paraqiti përbërjen e kabinetit qeverisës.