Poliklinika e Specialiteteve në Elbasan është kompletuar me pajisje të reja mjekësore teknologjisë së lartë, duke përmirësuar cilësinë e shërbimit për qytetarët.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale inspektuan sot investimin e realizuar që ka mundësuar transformimin tërësor të ambienteve të kësaj godinë 3-katëshe duke mundësuar kushte bashkëkohore dhe standardet më të mira për stafin mjekësor dhe rreth 430 mijë qytetarë të qarkut të Elbasanit të cilët do të marrin edhe shërbime të reja shëndetësore të specializuara.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se “Poliklinika e Specialiteteve është një godinë tërësisht e rikonstruktuar jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në pajisje bashkëkohore dhe është gati për të pritur rreth 350 qytetarë në ditë”.

Koçiu theksoi se në Poliklinikën e Specialiteteve në Elbasan janë 40 kabinete të specialiteteve të shtuara dhe 18 specialitete të veçanta duke siguruar cilësi dhe shpejtësi për kujdesin shëndetësor të qytetarëve të këtij qarku, por duke lehtësuar edhe ngarkesën e spitalit për një sërë shërbimesh të specializuara.
Në këtë poliklinikë ofrohet shërbimi i Dispancerisë për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve pneumologjike, ekzaminimet ambulatore të ndryshme imazherike dhe laboratorike, EKG, EEG, audiograma dhe spiromeria.
Rama dhe Koçiu panë nga afër edhe pajisjet e reja mjekësore në kabinetin e EKO-s abdominale ku risi është kryerja e ekzaminimit të gjendrave tiroide dhe eko-s së gjirit.

“Pajisjet imazherike ndihmojë në shkurtimin e kohës së çdo qytetari që vjen dhe diagnostikohet këtu sepse nuk bëjnë më vajtje-ardhje nga poliklinika në spital, por këtu mund të diagnostikohen lehtësisht duke përmirësuar kështu jo vetëm cilësinë e kushteve të punës për mjekët, por edhe cilësinë e shërbimit që u ofrohet qytetarëve”.

Gjatë bashkëbisedimit edhe me stafin e poliklinikës, Koçiu solli në vëmendje rritjen e pagave për infermierët dhe mjekët e familjes, në korrik të këtij viti.
“Ne do të mbështesim edhe me mjekë të rinj dhe ndërkohë do të vijohet të përmirësohet edhe më shumë cilësia e shërbimit sepse na duhet edhe eksperienca e më të pjekurve në moshë”, tha Koçiu.

Në kabinetin e okulistikës, janë instaluar pajisje mjekësore të viteve të fundit për diagnostikimin e strukturës intraokulare duke analizuar patologji të ndryshme të syrit.

Një tjetër investim është mundësuar edhe në kabinetin e neurologjisë i cili është pajisur me EEG (ezhe-në) digitale për analizën e aktivitetit elektrik të trurit për zbulimin në kohë të patologjive të ndryshme.

Gjithashtu është mundësuar që në kabinetin e ORL-së të kësaj poliklinike të integrohen të gjitha shërbimet në një pajisje mjekësore të vetme që shërben për diagnostikimin e strukturës intraokulare duke analizuar patologji të ndryshme të syrit. Risi e këtij kabineti është kryerja e ekzaminimeve ORL me anë të teknologjisë së videoskopisë, e cila mundëson shikimin në thellësi nëpërmjet kameras duke ndihmuar mjekun në diagnostikim e saktë dhe të shpejtë.

Ministrja Koçiu u shpreh se “kjo godinë është e 1975 dhe ka pasur vetëm një rikonstruksion xhamash, ndërkohë që tani është bërë e gjitha nga e para dhe me standarde sa i përket edhe personave me aftësi të kufizuara për të marrë shërbime më lehtësisht në këtë infrastrukturë”.

“Jemi duke punuar edhe për të bërë këtu një shërbim të veçantë sa i përket dhe diagnostikave të shëndetit mendor, që është gjithashtu një shërbim i rëndësishëm që do t’i shtohet kësaj strukture”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Në Poliklinikë ofrojnë shërbim 55 mjekë specialistë dhe 23 infermierë të cilët mbulojnë shërbimin ambulator.